Please enter at least 3 characters.

Nuk ndalen kritikat për Salah, tani e kritikon edhe legjenda e Liverpoolit: Ka mungesë oreksi

Ylli i Liverpoolit, Mohamed Salah, është vënë nën kritika të forta nga legjenda e klubit, Graeme Souness, i cili ka deklaruar se egjiptiani “nuk është mjaftueshëm i uritur” këtë sezon, duke vënë në dyshim formën e tij aktuale.

Sipas Souness, sinjalet e para të rënies së Salahut u panë që në ndeshjen e Community Shield kundër Crystal Palace në gusht.

Ai theksoi se Salah për shtatë vite ka qenë një superyll absolut dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm të Liverpoolit, madje një emër i garantuar në çdo formacion ideal të klubit.

“Mund të flasim gjatë. Salah ka qenë një superyll i vërtetë, një lojtar fantastik që ka bërë diferencën për më shumë se shtatë vite. Por tani ka treguar mungesë oreksi. Më vjen keq, por ndonjëherë fjalët e ashpra janë ato që duhen. Ai ka nevojë për këto fjalë për t’u kthyer në nivelin ku ka qenë”, u shpreh Souness.

Salah mbetet një nga lojtarët më të suksesshëm në historinë e Ligës Premier. Që nga ardhja nga Roma në vitin 2017, ai ka fituar Këpucën e Artë katër herë, është shpallur lojtari i sezonit në dy raste dhe gjatë sezonit 2024/25 shkëlqeu me 57 gola në 52 ndeshje, duke udhëhequr Liverpoolin drejt titullit të Anglisë.

Megjithatë, këtë edicion forma e tij ka rënë ndjeshëm. 33-vjeçari ka realizuar vetëm katër gola në 12 ndeshjet e para të Ligës Premier, duke u dukur larg nivelit që e karakterizonte.

Kritikat ndaj tij po shtohen, ndërsa tifozët dhe analistët sportivë pyesin nëse kjo është fazë e përkohshme apo fillimi i rënies së tij natyrale me kalimin e moshës. Liverpool mbetet në pritje që superylli egjiptian të rikthehet në formën e tij shpërthyese. /Telegrafi/