Nuk i deklaroi, Dogana i konfiskon një shtetasi të huaj rreth 13 mijë euro në Bërnjak
Dogana e Kosovës ka zbuluar rreth 13 mijë euro mjete monetare të padeklaruara gjatë një kontrolli në pikën e kalimit kufitar në Bërnjak.
Sipas njoftimit të Doganës, rasti ka ndodhur gjatë hyrjes në Republikën e Kosovës, kur një shtetas i huaj është intervistuar nga zyrtarët doganorë nëse posedonte mjete monetare apo mallra për deklarim.
“I njëjti ka deklaruar se nuk kishte mjete monetare apo mallra për të deklaruar”, thuhet në njoftim.
Megjithatë, bazuar në dyshimet e krijuara gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë kanë kryer kontrollin e automjetit dhe kontrollin personal të udhëtarit.
“Gjatë kontrollit janë gjetur mjete monetare në vlerë prej rreth 13,000 euro, të cilat nuk ishin deklaruar, duke tejkaluar pragun ligjor prej 10,000 euro”, njofton Dogana.
Lidhur me rastin, janë ndërmarrë procedurat administrative të parapara me legjislacionin në fuqi.
“Mjetet monetare janë ndaluar dhe konfiskuar përkohësisht, deri në përfundimin e procedurave për verifikimin dhe dokumentimin e prejardhjes së tyre”, thekson Dogana e Kosovës.
Dogana ka ritheksuar se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e qarkullimit të mjeteve monetare të padeklaruara, përmes kontrolleve të vazhdueshme dhe zbatimit të legjislacionit në fuqi. /Telegrafi/


