Norvegjia e Suedia kundër Bordit amerikan të Paqes, Italia drejt refuzimit
Norvegjia dhe Suedia kanë refuzuar t’i bashkohen Komitetit për Paqe të presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa sipas raportimeve të mediave, as Italia nuk do të marrë pjesë në të, njoftojnë agjencitë e lajmeve.
Zyra e kryeministrit norvegjez njoftoi sot se Norvegjia nuk do t’i bashkohet Komitetit për Paqe të propozuar nga presidenti amerikan.
“Propozimi amerikan ngre disa çështje që kërkojnë dialog më të thelluar me Shtetet e Bashkuara. Prandaj, Norvegjia nuk do t’u bashkohet dispozitave të propozuara për Komitetin e Paqes dhe nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit në Davos”, tha sekretari i shtetit Kristoffer Thoner për AFP.
Edhe Suedia e ka refuzuar iniciativën e Trumpit.
“Suedia nuk do të marrë pjesë në iniciativën e presidentit Donald Trump për Komitetin e Paqes në formën në të cilën teksti është paraqitur deri tani”, u tha kryeministri Ulf Kristersson gazetarëve në Davos.
As Italia nuk do të marrë pjesë, njoftoi gazeta italiane Corriere della Sera.
Sipas shkrimit të gazetës sot, Italia nuk do të marrë pjesë në iniciativën e Trumpit nga frika se anëtarësimi në një grup të tillë të udhëhequr nga lideri i vetëm i një vendi do të shkelte kushtetutën italiane.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e cila përndryshe ka marrëdhënie të mira me Trumpin, me gjasë nuk do të shkojë në Davos, i tha një burim Reuters. Qeveria italiane nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Komiteti i propozuar do të drejtohej përjetë nga Trump, dhe do të fillonte me zgjidhjen e konfliktit në Rripin e Gazës, e më pas edhe luftërat e tjera. Anëtarët do të duhej të paguanin një miliard dollarë amerikanë për anëtarësim të përhershëm.
Sipas kushtetutës italiane, Italia mund t’u bashkohet organizatave ndërkombëtare që sigurojnë “paqe dhe drejtësi mes kombeve” vetëm “mbi baza të barabarta me shtetet e tjera”, gjë që nuk përputhet me primatin amerikan në komitetin e ri, shpjegon gazeta, pa përmendur burimin e raportimit.
Ftesa për t’iu bashkuar iniciativës u janë dërguar rreth 60 shteteve, duke përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë. /Telegrafi/


