Njëzetedy vitet e shtetit antishqiptar...
Kur është shpallur pavarësia e Republikës së Maqedonisë dhe është bërë përfundimisht shkëputja e saj nga ish-RSFJ, unë sapo kam filluar t’i hedh hapat e para në jetë. Fill pas shpalljes së pavarësisë, ndër shqiptarët është shpërndarë furishëm thënia: “Hesht se ata të kanë në duar, fati yt varet nga vullneti i tyre”! Kjo fjali nuk ka qenë e panjohur. Sipas gojëdhënave dhe shkrimeve të ndryshme, edhe në të kaluarën e stërgjyshërve tanë është përdorur mu kjo fjali, kur në këto troje kanë shkelur bullgari, serbi, greku.
Edhe pas shpalljes së pavarësisë së shteti “tonë”, si duket ka vazhduar të imponohet ky mentalitet. Në këtë mënyrë, gjatë gjithë kohës shqiptarët nga maqedonasit janë konsideruar si pjesëtarë të kësaj toke, por që për nga zanati me gjasë duhet të jenë të gjithë “argatët” e tyre. Se duhet tu jepet nga një “gojë bukë”, vetëm sa të mos ankohen. Pra, kështu, është anashkaluar potenciali i vlefshëm i shoqërisë shqiptare që ka jeton e vepron në Maqedoni.
Shqiptarët, kudo që ndodhen, maqedonasve nuk ju kanë mohuar asgjë: as identitetin, as gjuhën, as shtetin, një gjë që fqinjët e tjerë janë duke ua bërë. Kurse, ata i kanë keqtrajtuar vazhdimisht institucionalisht shqiptarët.
Se mentaliteti shqiptar kishte ndryshuar dhe se Maqedonia ishte tejet e pakujdesshme ndaj çështjes shqiptare, e tregoi viti 2001, kur shpërtheu lufta. Pas vitit 2001 shqiptarët që kishin dalë në luftë për të përmirësuar gjendjen, në të gjitha sferat, filluan të demoralizohen. Ata kishin shpresuar, si të gjithë shqiptarët e tjerë, se dinjiteti i rikthyer do të vazhdojë të jetësohet. Kjo u zbeh plotësisht tani kur të rinjtë shqiptarë për çdo ditë keqtrajtohen, kurse qeveritarët tanë s’thonë asnjë fjalë, pasi brengosen për emrin dhe janë të zënë me gjoja “ofensiva diplomatike” për t’i hedh hi syve popullatës.
Për të dëshmuar antishqiptarinë e pushteteve të shtetit të Maqedonisë, nuk do shumë mend. Ajo theksohet çdoherë që krizat politike shfaqen rrufeshëm, pasi që duhet gjetur mënyra se me çfarë të merren popullata duke harruar problemet ekonomike e sociale. Kjo bëhet duke shtypur shqiptarët. Për këtë kanë shërbyer aksionet policore të njohura, si: “Bit Pazari”, “Sopoti”, “Brodeci”, “Radusha”, “Monstra”...
Sërish filluan rrahjet e therjet ndërmjet shqiptarëve e maqedonasve, kryesisht të moshave të reja. Që pushteti i këtij shteti tregohet antishqiptar, kuptohet lehtësisht edhe në këto raste. Sapo u therrën dy të rinjtë maqedonas, policia i kapi menjëherë sulmuesit shqiptarë. Dhe, bëri shumë mirë. Po përse nuk i kap të rrahurit e keqtrajtuarit shqiptarë, siç ishte rasti i rrahjes së 15 vjeçarit në shkollën “Dimitar Vllahov”?!
Duhet theksuar se tani, pas fillimit të rrahjeve të sërishme, gjithnjë e më tepër po bëhen bindëse spekulimet se rrahjet nuk janë një rastësi, se mund të jenë pasojë e një inspirimi politik, mbase edhe për qëllime të ulëta politike ditore. Ata që fusin frikën në popullatë mbase edhe me raste të montuara, me rrahje e keqtrajtime, harrojnë diçka: gjithçka që bëjnë për të keq një ditë të kthehet bumerang.
Partia shqiptare në pushtet, BDI-ja, nga ana tjetër, ka gjetur formulën e saktë dhe efektive se si t’i mbajë shqiptarët të heshtur. Ata punësojnë ndonjërin prej familjeve më të mëdha që janë nëpër fshatra e qytete, për t’i siguruar votat e mandatit të ardhshëm. Pushtetarët do bëjnë “milionat”, kurse administratorët e punësuar do të rrinë nëpër shtëpi, nën ethe se një ditë do të përjashtohen sepse nuk i sistematizojnë. Edhe këtu shfaqet elementi antishqiptar, i shpërndarë me përfaqësues e bashkëmendimtarë shqiptarë në qeveri. Domethënë, Qeveria që përfaqëson shtetin e Maqedonisë, si një kohë e dikur, të jep para (një gojë bukë) vetëm të rrish sa më larg institucioneve shtetërore. Të jesh sa më larg politikave, të brendshme e të jashtme, të mos i kuptosh lojërat që thuren brenda këtyre institucioneve, që shpesh dinë të janë të destinuara për shqiptarët. E ne flasim, jemi të demoralizuar se rrahjet janë të përditshme, kurse lideri i dikurshëm i UÇK-së, tani lideri i partisë shqiptare në pushtet, që i ka dhënë “zor” se do i rregulloj problemet e shqiptarëve - është strukur.
Meqë pesimizmin nuk e njoh si formulë ndaj cilësdo çështje që paraqitet gjatë ecjes në jetë, nuk mundem mos ta pranoj se tashmë ka filluar të më frikoj e nesërmja që e pret gjeneratën time. Më duket që ajo e nesërme, që e kemi “trashëgimi” nga kryesia injorante e klasës politike aktuale, është e pashpresë, është nënçmuese dhe shumë servile ndaj klasës politike maqedonase. Dhe ne, përderisa nuk do të gjejmë guximin t’u themi stop rrahjeve të përditshme të të rinjve shqiptarë rrugëve të Shkupit, të gjithë së bashku, njëkohësisht të kërkojmë edhe përgjegjësinë politike, do të vazhdojmë të mbetemi në këtë situatë të mjegullt. Situatë kjo e cila përpos se ofron konfuzion e pasiguri, është duke na çuar drejt një rruge ku kryesuesit partiakë gjithnjë e më shumë ia shohin hairin, kurse populli duket se bëhet “vegël” vetëmohuese për tu zgjatur e shërbyer jetëgjatësisë së krerëve politikë (e nga ana tjetër duke bërë ngufatjen e ardhmërisë sonë të përbashkët tonë).
Njëzetedy vitet e pushteteve të shtetit të Maqedonisë, gjithnjë deri më tani kanë dhënë mesazhe “të dorës së dytë” për shqiptarët. Pra, mund edhe të rrihemi e keqtrajtohen dhe institucionet përgjegjëse të kenë luksin e “heshtjes”.
Por, gëzon fakti se ngadalë me ngadalë kemi arritur në atë shkallë që tashmë neve as që na intereson se ç’bëhet me këtë banane shtet, por shohim se si do t’ia bëjmë me Shqipërinë e Kosovën.


