Një shqiptar në bordin e fotiljes së sulmuar nga Izraeli, reagon Ministria e Jashtme shqiptare
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) ka reaguar lidhur me rastin e shtetasit shqiptar Baki Goxhaj, i cili ndodhet në bordin e flotiljes “Sumud”, një mision humanitar ndërkombëtar që po përpiqet të çajë bllokadën e vendosur nga Izraeli në Gaza, Palestinë.
Sipas zëdhënësit të MEPJ, Alteo Hysi për Euronews Albania, ministria është vënë në dijeni për rastin dhe që në momentet e para ka vendosur komunikim përmes kanaleve diplomatike me autoritetet izraelite kompetente, me qëllim sigurimin e informacionit të plotë mbi situatën.
Në reagim theksohet se qëllimi kryesor është garantimi i respektimit të të drejtave të shtetasit shqiptar, përfshirë aksesin konsullor, në përputhje me praktikat dhe konventat ndërkombëtare.
MEPJ bën të ditur se po e ndjek çështjen me prioritet dhe është në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e shtetasit Baki Goxhaj. Ministria pritet të informojë në vijim mbi hapat dhe procedurat e mëtejshme.
Në fund, MEPJ thekson angazhimin e saj për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit, duke vijuar ndjekjen nga afër të rastit në koordinim me autoritetet dhe partnerët përkatës.


