Një i vdekur pas përleshjes me armë zjarri në Ferizaj
28/06/2026
Një person ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Ferizaj, në një incident të ndodhur mbrëmjen e së dielës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:50, në rrugën “Sejdi Sejdiu”.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, përfshirë Njësinë e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) dhe hetuesit e stacionit policor.
Sipas tij, në vendngjarje është gjetur një person mashkull i moshës madhore pa shenja jete, i cili dyshohet se ka pësuar plagë nga arma e zjarrit.
Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor i Spitalit të Ferizajt.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti./Telegrafi.


