Një grua alivanoset nga vapa gjatë shënimit të Vidovdanit në Graçanicë
Një grua e nacionalitetit serb ka humbur ndjenjat gjatë ceremonisë të shënimit të “Vidovdanit”, që po zhvillohen këtë të diel në Graçanicë.
Sipas ekipit të KosovaPress-it që ndodhet në vendngjarje, dyshohet se shkak i alivanosjes ka qenë temperatura e lartë dhe ekspozimi ndaj vapës.
Personat e pranishëm i kanë ofruar ndihmën e parë, ndërsa më pas në vendin e ngjarjes kanë intervenuar edhe ekipet mjekësore. Gruaja është dërguar për trajtim në spital.
Ndërkohë, qytetarë serbë janë mbledhur edhe në Gazimestan, në afërsi të Obiliqit, për të shënuar Vidovdanin.
Policia e Kosovës është e pranishme në terren dhe po monitoron situatën, përfshirë edhe kontrollin e simboleve që mund të nxisin urrejtje ndëretnike.
Sipas zyrtarëve policorë, deri më tani situata ka qenë e qetë dhe pritet të vazhdojë pa incidente./kp/


