Një baba në Brazil është bërë viral pasi "i ra të fikët", teksa po shikonte bashkëshorten e tij duke sjellë fëmijën në jetë
Një baba në Brazil është bërë viral në rrjetet sociale pasi "i ra të fikët" në sallën e lindjes, teksa po shikonte bashkëshorten e tij duke sjellë në jetë fëmijën.
Ngjarja ndodhi në një spital në Criciúma, ku Maicon Pedroso ishte i pranishëm gjatë operacionit me prerje cezariane të bashkëshortes së tij, Marianne Felippe.
Pamjet e regjistruara nga një fotografe e lindjeve tregojnë momentin kur Pedroso po mbante dorën e gruas së tij, përpara se të rrëzohej papritur në çastin kur foshnja u nxor dhe u vendos mbi kraharorin e nënës.
Stafi mjekësor ndërhyri menjëherë për ta ndihmuar, ndërsa procedura vazhdoi pa komplikime.
Videoja është parë mbi 20 milionë herë, duke shkaktuar reagime të shumta dhe komente humoristike në rrjetet sociale.
Megjithatë, pas incidentit, Pedroso u rikuperua shpejt dhe arriti të bashkohej me bashkëshorten dhe vajzën e porsalindur.
Sipas fotografëve, raste të tilla ndodhin herë pas here, edhe pse nuk janë shumë të shpeshta.
Fatmirësisht, nëna, babai dhe foshnja gëzojnë shëndet të mirë. /Telegrafi/

