Nisin punimet për rrugën Korishë–Kabash, investim 4.1 milionë euro
Është inauguruar fillimi i punimeve për ndërtimin e rrugës që lidh Korishën me Kabashin, një projekt infrastrukturor i financuar nga Qeveria e Kosovës dhe me vlerë prej 4.1 milionë euro.
Gjatë ceremonisë së fillimit të punimeve u theksua se kjo rrugë do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve, do të përmirësojë lidhjet me rrugët rajonale dhe do të ndikojë në zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se projekti ka rëndësi për lidhjen e komuniteteve dhe zhvillimin e turizmit.
“Bëhet fjalë për një rrugë e cila është e gjatë gjashtë kilometra e 708 metra, lidh Korishën me Kabashë, por gjithashtu edhe me rrugën rajonale R-118. Qëllimi ynë është që të ketë sa më shumë qarkullim të mirë e të lehtë për qytetarët dhe për bizneset, e në veçanti për zhvillimin e turizmit, meqenëse në këtë mënyrë sillet në nivel të ri turizmi në këtë zonë, ku ndodhen Prizreni, Shtërpca, përkatësisht Brezovica, dhe kjo do të krijojë të ardhura shtesë edhe për Kosovën në përgjithësi, edhe për këto komuna, e natyrisht edhe për bizneset dhe qytetarët”, tha Kurti.
Ndërkohë, ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, tha se projekti financohet plotësisht nga Qeveria e Kosovës dhe ka rëndësi të veçantë për zonën.
“Ky projekt mbështetet komplet nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ka vlerën 4.1 milionë euro që i dedikohet qytetit të Prizrenit, përkatësisht lidhjes së Korishës me Kabashin. Siç u tha, ne jemi të prirur për të bërë lidhjen e banorëve të kësaj zone. Njëkohësisht ju e dini që kjo anë ofron bukuri të rralla natyrore, që besoj do të ndikojë edhe në zhvillimin e turizmit të kësaj zone”, tha Basha.
Autoritetet kanë theksuar se rruga e re pritet të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e turizmit, biznesit dhe ekonomisë lokale në të gjithë rajonin.


