Please enter at least 3 characters.

Nisi transmetimin "Përzije", seriali i ri kosovar me protagonistë Edon Bërvenikun dhe Mensur Safqiun

Foto: DIZARIUM studio/YouTube

Seriali më i ri kosovar “Përzije” ka nisur transmetimin mbrëmjen e së martës në Klan Kosova, duke sjellë para publikut një komedi të zezë që ndërthur humorin, filozofinë dhe realitetin e përditshëm të jetës në lagje.

Episodi i parë u transmetua në ora 22:10 në Klan Kosova, ndërsa pak më vonë u publikua edhe në kanalin e Dizarium Studios në YouTube, duke u bërë i qasshëm edhe për publikun online.

Në qendër të serialit janë aktorët Mensur Safqiu dhe Edon Bërveniku, të cilët interpretojnë dy personazhe krejtësisht të ndryshëm, por që së bashku krijojnë dinamikën kryesore të rrëfimit. Safqiu vjen në rolin e Sadriut, një profesor filozofie dhe klient i vjetër i çajtores së lagjes, ndërsa Bërveniku luan Babon, figurën karizmatike që rikthehet nga Spanja me synimin për të rihapur çajtoren e familjes dhe për të rikthyer ndikimin e tij në lagje.

Pjesë e kastës është edhe Eldin Shiroki, i cili luan rolin e Kullerit, punëtorit besnik të çajtores që shpesh gjendet në mes të urdhrave, situatave absurde dhe kaosit të përditshëm.

- YouTubeyoutu.be

Ngjarja e serialit nis me rihapjen e çajtores së vjetër të babait të Babos, e cila pas shumë vitesh të mbyllur rikthehet si vendtakim ku përzihen politika, histori personale, nostalgji, humor dhe debatet e përditshme të banorëve të lagjes.

Që në episodin e parë, “Përzije” solli situata komike, dialogë karakteristikë dhe personazhe të veçantë, duke reflektuar me humor dhe ironi tema që prekin realitetin e përditshëm të shoqërisë kosovare.

Seriali është shkruar nga Milot Hoxha, ndërsa regjinë e ka realizuar Tanju Süleyman. Prodhimi vjen nga Dizarium Studios, një ekip që synon të sjellë një frymë moderne dhe autentike në produksionet vendore.

Me kombinimin e komedisë së zezë dhe dramës sociale, “Përzije” premton të trajtojë me satirë dhe humor shumë prej dukurive që karakterizojnë jetën e sotme në Kosovë, duke e bërë atë një prej projekteve më interesante televizive të këtij sezoni. /Telegrafi/