Nis ndërtimi i rrugës Korishë–Kabash, Kurti: Investim mbi 4 milionë euro
Kanë filluar punimet për projektin e rrugës Korishë–Kabash.
Në ceremoninë e fillimit të punimeve ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm deputetët nga Prizreni, Artane Abrashi dhe Arbër Rexhaj, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë dhe operatori ekonomik që po realizon projektin.
Gjatë ceremonisë, kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se punimet kanë nisur me intensitet të lartë, ndërsa kushtet e favorshme atmosferike pritet të ndikojnë që projekti të përfundojë në një afat rekord, raporton kp.
Kryeministri Albin Kurti theksoi rëndësinë e këtij investimi për zhvillimin ekonomik dhe turistik të rajonit.
“Bëhet fjalë për një rrugë e cila është e gjatë 6 kilometra e 718 metra, e lidh Korishën me Kabashin, por gjithashtu edhe me rrugën rajonale R118. Qëllimi ynë është që të ketë sa më shumë qarkullim të mirë e të lehtë për qytetarët dhe për bizneset, e në veçanti për zhvillimin e turizmit, meqenëse në këtë mënyrë sillet në nivel të ri turizmi në këtë zonë ku ndodhen Prizreni, Shtërpca, përkatësisht Brezovica, dhe kjo do të krijojë të ardhura shtesë edhe për Kosovën në përgjithësi, edhe për këto komuna posaçërisht e natyrisht edhe për bizneset e qytetarët mbarë”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, vlera totale e projektit është 4.1 milionë euro, ndërsa në të ardhmen parashihen edhe dy segmente të tjera shtesë.
Ndërkaq, ministri i Infrastrukturë dhe Transporit, Dimal Basha theksoi përkushtimin institucional për realizimin e projektit pa vonesa.
“Është një projekt 6.7 kilometra në vlerë prej 4.1 milionë euro. Ne jemi të prirë për të bërë lidhjen e banorëve të kësaj zone. Kjo anë ofron bukuri të rralla natyrore që do të ndikojnë në zhvillimin e turizmit. Si ministri do të jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me operatorët, në mënyrë që çdo pengesë të tejkalohet dhe projekti të realizohet sa më shpejt”, u shpreh ai.


