Niall Horan flet për vdekjen e Liam Payne: Ende më duket e pabesueshme
Niall Horan ka folur për humbjen e ish-shokut të tij të grupit Liam Payne, i cili ndërroi jetë në vitin 2024 në moshën 31-vjeçare pas një rënieje nga një hotel në Buenos Aires të Argjentinës.
Në një intervistë për The Times of London, Horan tregoi se kishte qenë me Payne në Argjentinë vetëm pak javë para vdekjes së tij.
Ai pranoi se kur mori lajmin e hidhur, fillimisht nuk mund ta besonte.
“Jam i lumtur që kujtimi im i fundit për të është një kujtim i bukur. Ende më duket e pabesueshme. Ditën e parë thosha me vete: ‘Jo, kjo nuk ka ndodhur’. Miqësia jonë ishte një lidhje që do të ekzistonte përgjithmonë, edhe nëse nuk takoheshim shpesh. Është e çuditshme sesi një ditë, brenda një çasti, ai nuk është më”, u shpreh Horan.
Këngëtari shtoi se pas humbjes, familjet e tyre kanë qëndruar në kontakt për të përballuar dhimbjen së bashku.
Ai tha se pikëllimi i tij për Liamin përfshin si trishtim ashtu edhe kujtime të bukura.
“Kur mendoj për largimin e Liamit, ndjej trishtim, por njëkohësisht buzëqesh kur kujtoj momentet që kemi kaluar bashkë. Shpesh më kujtohen situata qesharake nga hotelet apo udhëtimet tona. Kemi kaluar shumë kohë të bukur në Australi, ku shkonim në plazh. Liam ishte mjaft i mirë në sërf, ndërsa unë mezi di të notoj”, tha ai.
Horan zbuloi gjithashtu se albumi i tij i ri solo, "Dinner Party", i cili publikohet më 5 qershor, përmban një këngë për Payne me titull "End of an Era".
Duke folur për mënyrën se si mendon se do ta kishte pritur Liam këtë këngë, Horan tha: “Mendoj se është pikërisht lloji i këngës që ai do ta pëlqente. I pëlqenin shumë Coldplay dhe këngë si You & I nga One Direction, këngë që zhvillohen gradualisht dhe kanë emocion të veçantë". /Telegrafi/


