Ngritët aktakuzë ndaj personit që sulmoi me kallash autobusin në Pagarushë të Malishevës
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet S.M., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ngjarja ka ndodhur më 11 qershor 2026, rreth orës 12:07, në fshatin Pagarushë të Komunës së Malishevës.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me linjën e autobusëve, dyshohet se ka bllokuar rrugën me traktor dhe më pas ka shtënë disa herë me armë automatike të tipit AK-47 në drejtim të autobusit që drejtohej nga V.S., ku ndodheshin edhe pasagjerët F.K. dhe H.K.
Në aktakuzë thuhet se nga të shtënat janë dëmtuar disa pjesë të autobusit, duke rrezikuar jetën e personave që ndodheshin brenda tij, por fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk ka pësuar lëndime trupore.
Prokuroria ka bërë të ditur se arma automatike AK-47, së bashku me karikatorin dhe municionin, dyshohet se është poseduar pa autorizim nga i pandehuri dhe është sekuestruar në vendin e ngjarjes.
Me këto veprime, sipas aktakuzës, S.M. dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5, lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 i KPRK-së.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale që i ngarkohen. /Telegrafi/


