Please enter at least 3 characters.

Ngjyrat e vjeshtës pikturojnë Malin e Nëmërçkës në Përmet

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje mahnitëse nga Mali i Nëmërçkës, që shfaqet në ngjyrat e vjeshtës në zemër të Jugut të Shqipërisë.

Mali i Nëmërçkës, po shndërrohet në një prej destinacioneve të preferuara të turizmit malor vitet e fundit.

“Pamje vjeshte nga Mali i Nëmërçkës, në zemër të Jugut të Shqipërisë, mes qetësisë së Përmetit dhe hijeshisë së Vjosës”, shkruan Rama, teksa ka publikuar videon në rrjetet sociale.



Mali i Nëmërçkës është pjesë e një vargmali mes Përmetit dhe Gjirokastrës. Nëmërçka ka një shpat të mprehtë malor që bie direkt në Luginën e Vjosës. Maja më e lartë është Maja e Papingut, ose maja e Dritës, 2485 m, që është dhe pika më e lartë e gjithë vargmalit Trebeshinë- Dhëmbel-Nemërçkë. Të tjera maja të këtij mali janë: Maja e Gatakut, Maja e Qesarit dhe Maja e Poliçanit.

Turizmi malor në Shqipëri vlerësohet si një nga resurset turistike më të mëdha të vendit, krahas bregdetit, duke tërhequr turistë të huaj dhe vendas.

Përmirësimi i infrastrukturës, sigurisë dhe investimet në këtë sektor po rriten dita-ditës, duke shtuar dhe të ardhurat për banorët dhe operatorët turistikë.

Turizmi malor në Shqipëri jo vetëm po e zgjat sezonin, por edhe po diversifikon ofertën e atraksioneve për turistët vendas e të huaj. /Telegrafi/