Ngjarje e rëndë në Vlorë, dyshohet se u rrëzua nga biçikleta - vdes gruaja
Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të enjte, 4 dhjetor 2025 në Vlorë.
Raportohet se një grua, rreth 50 vjeçe, duke ecur në bulevardin “Ismail Qemali”, është rrëzuar përtokë.
Pas rrëzimit, gruaja ka humbur jetën. Vdekja i ka ardhur pasi ka plasur kokën në një prej bordurave të bulevardit të Vlorës.
Me anë të një njoftimi, policia jep detaje nga ngjarja e rëndë.
“Sot, rreth orës 11:30, në lagjen “Pavarësia 2”, në bulevard, përballë stadiumit, një shtetase rreth 50 vjeçe dyshohet se si pasojë e erës së fortë, është rrëzuar dhe është përplasur në trotuar, duke ndërruar jetë.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin e viktimës”, njofton policia.
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur këtë të enjte në qytetin e Vlorës, ku për shkak të erës së fortë humbi jetën aksidentalisht një grua e moshës rreth 50 vjeçe, ka folur në një deklaratë për mediat një dëshmitare.
Dëshmitarja për këtë ngjarje është një grua, e cila ka treguar se si 50-vjeçarja u rrëzua dhe humbi jetën.


