Nga sukseset me Prishtinën e Dritën te sfidat e karrierës – Viktor Kuka, mysafir në “Arena e Yjeve”
Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, mysafir ishte futbollisti i njohur Viktor Kuka, i cili ndau rrëfime interesante nga karriera e tij e gjatë në futbollin kosovar, duke kujtuar momentet më të veçanta dhe sfidat që e kanë shoqëruar ndër vite. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Exfis dhe Heineken.
Biseda nisi me periudhën e tij te Drita, ku Kuka kujtoi me emocione mbështetjen e jashtëzakonshme të tifozëve “Intelektualët”, duke treguar histori të veçanta që dëshmojnë pasionin dhe përkushtimin e tyre ndaj klubit.
Më pas, ai zbuloi historinë interesante të kontratës pesëvjeçare me Dritën, duke treguar se për një vit të tërë udhëtonte me biçikletë nga Prishtina në Gjilan vetëm për të qenë pjesë e stërvitjeve dhe për të ndjekur ëndrrën e tij në futboll.
Gjatë episodit, Kuka foli edhe për sukseset e arritura në karrierë, duke kujtuar titujt kampion të fituar me Prishtinën dhe Dritën, si dhe momentet që i konsideron ndër më të rëndësishmet në rrugëtimin e tij si futbollist.
Në vazhdim, ai ndau edhe zhgënjimin e madh që përjetoi sezonin e kaluar, pasi nuk arriti ta ndihmonte Vëllaznimin të siguronte rikthimin në Superligën e Kosovës, duke folur hapur për emocionet dhe përgjegjësinë që ndjeu pas përfundimit të kampionatit.
Episodi solli gjithashtu shumë rrëfime të pathëna nga karriera e Kukës, kujtime nga klubet ku ka luajtur dhe përvojat që e kanë formësuar si futbollist dhe si njeri.
Episodin e plotë me Viktor Kukën mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube. /Telegrafi/


