Nga NBA në Kosovë – Hasbrouck rrëfen pse zgjodhi Trepçën dhe emocionin e titullit kampion
Në Mitrovicë basketbolli nuk është thjesht lojë, është një mënyrë jetese. Dhe kur “Minatori” shpërthen, çdo lojtar që e vesh fanellën e Trepçës e kupton shpejt se ka hyrë në një botë ku pritshmëritë janë të mëdha, por dashuria e publikut është edhe më e madhe.
Këtë e ka përjetuar më së miri Kenny Hasbrouck. Amerikani, i cili ka kaluar nëpër nivele të ndryshme të basketbollit – nga përvojat në NBA e deri te ligat prestigjioze evropiane, e mbylli sezonin në Kosovë me trofeun më të madh, titullin kampion me Trepçën.
Në një intervistë për Telegrafin, Hasbrouck ka folur për vendimin që e solli në Mitrovicë, përshtatjen me sistemin e trajnerit Adis Beciragiq, emocionin e festës me tifozët dhe arsyet pse vendosi të rinovojë kontratën, një gjë jo fort e zakonshme për një basketbollist të huaj në kampionatin tonë.
“Për ta thënë shkurt. Trepça ka një histori të madhe fituese dhe më ofroi atë që unë ndjeja se e vleja. Po ashtu, kisha dëgjuar gjëra shumë të mira për Adisin dhe doli që ishin të vërteta, prandaj vendimi ishte i lehtë”.
“Isha i kënaqur me paraqitjet e mia individuale në përgjithësi. Mendoj se ka shumë hapësirë për përmirësim, sidomos në gjuajtjet e mia dhe prezenca ime në mbrojtje”.
Hasbrouck pranoi se adaptimi me mënyrën e lojës së trajnerit nuk ishte i menjëhershëm.
“Adisi ka një sistem ndryshe nga shumica e ekipeve evropiane dhe më u desh pak kohë të përshtatem. Tani që ndihem rehat dhe e njoh sistemin, mund t’i përdor muajt e verës për t’u përmirësuar brenda këtij sistemi”, shton ai.
Trepça e fitoi titullin e tretë kampion radhazi, ndërsa për Hasbrouck ishte i pari me mitrovicasit. Dhe sipas tij, një pjesë e madhe e këtij rrugëtimi lidhet me energjinë që sjell publiku.
“Tifozët këtu në Mitrovicë janë shumë të veçantë. Gjatë ‘playoff’-it, ata vërtet i treguan Kosovës sa të jashtëzakonshëm janë dhe sa të rëndësishëm mund të jenë në ndeshjet në shtëpi”.
“Kthimi ynë në Mitrovicë pas finales ishte thjesht spektakolar. Na përcollën deri në ‘Minatori’ me brohoritje dhe me flakadanë. Ishte një kohë e mrekullueshme që do të mbetet gjatë në kujtimet e mia”.
Në veçanti, Hasbrouck pati fjalë të mëdha për trajnerin Adis Beciragiq, duke e vlerësuar lart si profesionist dhe si njeri.
“Trajneri Adis është njëri nga, nëse jo trajneri më i mirë që kam pasur në karrierën time profesionale. Më jep shumë gëzim që ende mund të mësoj nga një trajner në këtë moshë. Ai është një person shumë filozofik për basketbollin dhe jetën. Kurrë nuk e di saktësisht për çfarë do të flasë, por gjithmonë ka një mësim të madh aty brenda”.
Rinovimi i kontratës ishte një tjetër temë e rëndësishme në intervistë, veçanërisht duke ditur se lojtarët e huaj rrallë qëndrojnë gjatë në Kosovë. Por Hasbrouck tregon se arsye ka pasur shumë.
“Rinovimi i kontratës ishte një vendim goxha i lehtë. Shumë gjëra kontribuuan, por disa nga faktorët më të mëdhenj ishin trajneri Adis, profesionalizmi i Trepçës, kujdesi për lojtarët dhe planet që kanë për të ardhmen në garat evropiane, si dhe bashkëlojtarët e mi vendorë”.
Në fund, amerikani flet edhe për mikpritjen në qytet dhe e mbyll me një mesazh për tifozët, në veçanti për Torcidën.
“Tifozët këtu në Mitrovicë më kanë treguar mikpritje të jashtëzakonshme që nga dita e parë. U ndjeva shpejt si në shtëpi sepse të gjithë ishin shumë mikpritës. Për tifozët e Torcidës, faleminderit që më mirëpritët në qytetin tuaj dhe në klubin tuaj. Shpresoj se kam bërë një punë të mirë duke përfaqësuar çfarë do të thotë ta vesh fanellën e Trepçës”.
“Jam i lumtur që do të jem me ju edhe një sezon dhe shpresoj që sezonin e ardhshëm të kontribuoj sërish për ta sjellë një tjetër trofe”, përfundon Hasbrouck./Telegrafi/


