Please enter at least 3 characters.

Nga mëngjesi i freskët te mbrëmja elegante: Xhaketat që dominojnë sezonin

Nga modelet klasike deri te xhaketat me jakë të ngritur, lëkurë të përpunuar dhe stil pelerine, këtë pranverë xhaketa bëhet pjesa kryesore e çdo kombinimi

Xhaketat pranverore të vitit 2026 sjellin një ndërthurje të bukur mes klasikes dhe risive. Ato nuk janë më vetëm pjesë praktike për ditët kur moti ndryshon shpesh, por edhe elementi kryesor që e bën veshjen të duket më e menduar, më moderne dhe më elegante.

Këtë sezon, në qendër janë modelet e lehta, të gjithanshme dhe të përshtatshme për kombinime të ndryshme, nga veshjet e përditshme deri te ato më të rafinuara.

Mjafton të zgjidhni modelin që i përshtatet stilit tuaj, me jakë të ngritur, me xhepa, nga lëkura e përpunuar ose në stil pelerine, dhe veshja do të duket menjëherë më moderne, transmeton Telegrafi.

Xhaketa me jakë të ngritur

Një nga modelet më të kërkuara është xhaketa me jakë të ngritur. Ky detaj i jep veshjes pamje të sofistikuar dhe një ndjesi elegance të qetë. Përveç dukjes moderne, është edhe praktike për ditët me fllad pranveror.

Mund të kombinohet lehtë me xhinse, pantallona të gjera, atlete ose këpucë më elegante, prandaj është ndër zgjedhjet më të mira për përditshmëri.

Xhaketa praktike me xhepa

Në trend janë edhe xhaketat me prerje më të gjerë, me shumë xhepa dhe me jakë të dallueshme. Ato sjellin një frymë më të relaksuar, por njëkohësisht shumë të bukur për veshjet e përditshme.

Ngjyrat më të pëlqyera janë bezha, e gjelbra ulliri dhe nuancat e buta rozë. Ky model është i përshtatshëm për ditët kur dëshironi të dukeni bukur, por pa u dukur sikur jeni munduar shumë.

Xhaketa nga lëkura e përpunuar

Lëkura e përpunuar është ndër materialet më të pranishme këtë pranverë. Xhaketat nga ky material i japin çdo veshjeje pamje më luksoze, edhe kur pjesa tjetër e kombinimit është shumë e thjeshtë.

Këtë sezon vishen modele të ndryshme: të shkurtra, me prerje klasike, me thekë apo në formë xhakete elegante. Ato janë zgjedhje e mirë për këdo që dëshiron një pjesë që bie në sy, por mbetet e lehtë për t’u kombinuar.

Xhaketa në stil pelerine

Një tjetër model që po rikthehet fuqishëm është xhaketa në stil pelerine. Ajo duket elegante, e veçantë dhe e bën veshjen menjëherë më të rafinuar.

Mjafton ta kombinoni me pantallona të thjeshta dhe pamja merr menjëherë më shumë karakter. Këto xhaketa vijnë në materiale të lehta për pranverë, por edhe në variante më të trasha, që mund të vishen edhe gjatë sezonit vjeshtë-dimër. /Telegrafi/