Please enter at least 3 characters.

Nga mandati 2021–2025 deri te fushata aktuale, Salihu nga GAP flet për premtimet e parealizuara dhe ato që po ofrohen nga kandidatët

Me fillimin e fushatës për Zgjedhjet Lokale 2025 në Kosovë, kandidatët për kryetarë po shpalosin premtimet e tyre për të fituar mandatin e parë ose për të vazhduar për një periudhë të dytë. Disa janë në garë për herë të parë, ndërsa disa të tjerë kërkojnë besimin e qytetarëve për mandat të dytë apo më shumë.

Telegrafi ka zhvilluar një intervistë me analistin e politikave nga Instituti GAP, Bekim Salihu, për të analizuar se si ka shkuar mandati katërvjeçar i kryetarëve aktualë, 2021–2025.

Sipas Salihut, ky ka qenë një mandat jashtëzakonisht i vështirë për kryetarët e komunave, i ndikuar fillimisht nga pandemia COVID-19 dhe më pas nga lufta në Ukrainë, e cila shkaktoi inflacion.



“Gjykuar edhe nga mandatet e kaluar, mendoj që ky ka qenë një prej mandateve më të rëndë që kam përcjell nëpër komuna për shkak të shumë specifikave. Ky mandat ka nisur në periudhën e pandemisë, pasuar nga periudha për rikuperim nga kjo gjendje. Ardhur më pas nga lufta në Ukrainë e cila ndikoni në rritjen e inflacionit që goditi kompanitë që ishin të kontraktuara nga komunat për të kryer investime publike dhe më pas edhe kontratat kolektive që dëmtuan buxhetet komunale rreth 270 milionë euro”, tha Salihu për Telegrafin.

Analisti ka folur gjithashtu për premtimet që kandidatët aktualë dhe ata të rinj po i shfaqin para qytetarëve dhe sa janë të realizueshme.

“Janë duke u shpalosur një numër i madh i premtimeve, gjykuar nga e kaluara nga zgjedhjet e vitit 2007, pastaj tek vitit 2009, viti 2013, viti 2017, të gjitha këto periudha numri i premtimeve ka qenë 1,550 premtime, ndërkaq vetëm në mandatin 2021-2025 janë dhënë 1,815 premtime në atë kohë në fushatën zgjedhore, përkatësisht nga kryetarët aktualë në 27 komunat e Kosovës dhe Instituti GAP ka filluar më grumbullimin dhe listimin që aktualisht kandidatët janë duke i dhënë për fushat e ndryshe është relativisht i madh”, potencoi Salihu.

Analisti ka komentuar gjithashtu performancën e kryetarëve aktualë gjatë mandatit 2021–2025, duke theksuar dallimet mes tyre në realizimin e premtimeve.

“Kjo jo që ne dëshirojmë ta amnistojmë dikë ose jo që duam ta mbrojmë dikën, por shikuar në pikëpamje metodologjike është problem që të krahasohen kryetarët njëri me tjetrin tek pjesa e premtimeve elektorale për shkakun e vetëm që ka kryetar që ka dhënë 206 premtime siç është rasti i Përparim Ramës në Prishtinë dhe ka kryetar si ta zëmë i Pejës (Gazmend Muhaxheri), që ka dhënë vetëm 20 premtime”, shtoi Salihu.

Duke bërë një analizë totale për 27 komunat (nga gjithsej 38), Salihu ka dhënë edhe përqindjet e realizimit të premtimeve.

“21 për qind e premtimeve nuk janë realizuar gjatë mandatit 2021-2025, 51 për qind janë plotësisht të përmbushura, 13 për qind janë gjysmë të përmbushura ndërkaq 15 për qind janë të filluara”, deklaroi Salihu.

Kandidatët për kryetarë nga të gjitha komunat kanë kohë deri më 11 tetor për të shpalosur programin e tyre para elektoratit, ndërsa më 12 tetor qytetarët do të votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre për katër vitet e ardhshme. /Telegrafi/

true