Please enter at least 3 characters.

Nga Kosova në zemër të Arbërisë: Xhevdet Gashi nderohet në Kalabri me titullin “Artist i Merituar i Arbërisë”

Një mbrëmje e veçantë për kompozitorin shqiptar në tokën ku identiteti arbëresh ruhet prej shekujsh

Kompozitori kosovar Xhevdet Gashi është nderuar në Kalabri me titullin “Artist i Merituar i Arbërisë” (Artista Benemerito d'Arbëria), në një mbrëmje ku muzika, kultura dhe identiteti shqiptar u bashkuan në zemër të një prej komuniteteve më të njohura arbëreshe në Itali.

Gashi, e mori këtë vlerësim në kuadër të Çmimit Ndërkombëtar “Morea”, gjatë edicionit të 43-të të “Rassegna del Costume e della Cultura Arbëreshe”, të zhvilluar në Vaccarizzo Albanese, në Kalabri.

Manifestimi, i kushtuar ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë arbëreshe, bashkoi traditën, artin dhe brezat e rinj përmes një programi me veprimtari muzikore, artistike dhe kulturore.

“Kjo dekoratë është e veçantë për mua”

Për Xhevdet Gashin, megjithatë, ky nuk ishte thjesht një tjetër vlerësim në karrierën e tij.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, kompozitori foli me emocion dhe e vendosi dekoratën në një dimension shumë më të gjerë se ai personal.

Ai kujtoi se gjatë karrierës së tij është dekoruar nga dy presidentë të Kosovës, vlerësime që, siç tha, i çmon veçanërisht sepse vijnë nga presidentët e shtetit të pavarur të Kosovës.

Por nderimi në Arbëri kishte për të një domethënie tjetër.

“Ndihem shumë i emocionuar për këtë dekoratë. Në karrierën time jam dekoruar nga dy presidentë të Kosovës, të cilat dekorata i çmoj shumë sepse janë prej presidentëve të shtetit të pavarur të Kosovës. Por, kjo dekoratë është e veçantë për mua, sepse është nga ju, që me shekuj keni ruajtur traditat dhe qenien e juaj arbëreshe”, tha Gashi.

Nderimi mori një domethënie të veçantë edhe për faktin se vinte nga një komunitet që, pavarësisht shekujve të kaluar në Itali, ka arritur ta ruajë gjuhën, traditat dhe identitetin arbëresh. Pikërisht këtë qëndresë kulturore Gashi e veçoi edhe në fjalën e tij.

“Për mua është vështirë e kuptueshme që kultura arbëreshe, me shekuj bashkëjetoi me një kulturë shumë të madhe, që është kultura italiane, megjithatë, arriti ta ruajë identitetin e vet”, u shpreh kompozitori.

Jo vetëm dekoratë, por një urë

Në fund të fjalës së tij, Gashi i dha këtij nderimi një kuptim që shkonte përtej karrierës personale.

“Këtë dekorim nuk e marr vetëm si shpërblim për vete, por si një urë lidhëse midis arbëreshëve dhe shqiptarëve përtej detit”, tha ai.

Pikërisht ky mesazh e bëri edhe më domethënëse mbrëmjen në Vaccarizzo Albanese.

Nderimi i Xhevdet Gashit nuk mbeti vetëm një ceremoni dekorimi, por u kthye në një takim simbolik mes një artisti nga Kosova dhe një komuniteti që, pavarësisht shekujve larg trojeve shqiptare, vazhdon ta ruajë dhe ta përcjellë identitetin arbëresh.

Dhe këtë lidhje Gashi e përmblodhi me një urim të thjeshtë, por domethënës: “Ju faleminderit edhe një herë dhe të rrojë Arbëria.”

/Telegrafi/