Please enter at least 3 characters.

Nga 1 korriku, Zvicra bllokon numrat e rremë të telefonit: Fund terrorit të thirrjeve nga numra të panjohur që shqetësojnë edhe mijëra shqiptarë

Duke filluar nga data 1 korrik, në Zvicër hyjnë në fuqi rregulla të reja dhe shumë më të rrepta të sigurisë në rrjetet telefonike, të cilat synojnë të ndalojnë fenomenin e njohur si „Spoofing” - manipulimin e numrave të telefonit.

Siç raporton gazeta zvicerane Tages-Anzeiger, operatorët e telefonisë celulare tani e tutje do të jenë të detyruar ligjërisht të bllokojnë thirrjet që vijnë nga numra celularë të falsifikuar.

Deri më tani, kompanitë e dyshimta ose qendrat e thirrjeve (call centers) mund të fshihnin lehtësisht identitetin e tyre, duke bërë që në ekranin e telefonit të shfaqej një numër zviceran (për shembull, me prefiksin 079 apo 076), ndërkohë që thirrja në të vërtetë bëhej nga jashtë vendit - për shembull nga Kosova. Me rregulloren e re, nëse një thirrje vjen nga jashtë, por tenton të prezantohet si numër celular zviceran, ajo do të bllokohet automatikisht nga operatorët përpara se të mbërrijë te klienti.

Ky ndryshim ligjor ka një rëndësi edhe për komunitetin shqiptar që jeton në Zvicër. Për vite me radhë, mijëra bashkatdhetarë tanë janë terrorizuar pothuajse çdo ditë nga thirrje të tilla të vazhdueshme dhe agresive.

Kryesisht bëhet fjalë për kompani të pacertifikuara sigurimesh, ndërmjetësues financiarë apo ofertues të tjerë të shërbimeve, të cilët përdorin këta numra të rremë zviceranë për të krijuar besim të rremë te qytetarët.

Pasi personi e hap telefonin, ata përpiqen me çdo kusht të përfitojnë klientë të rinj, duke ushtruar presion për caktimin e takimeve apo ndryshimin e policave të sigurimit. Ky terror telefonik ka krijuar një situatë shqetësuese për familjet shqiptare, të cilat shpesh detyrohen të mos u përgjigjen më telefonatave nga numrat që nuk i kanë të ruajtur.

Sipas rregullave të reja, mbrojtja do të jetë shumë më efikase për numrat e celularëve. Sapo sistemi të vërejë që numri zviceran po përdoret në mënyrë të paligjshme nga jashtë, thirrja do të ndërpritet menjëherë.

Megjithatë, ekspertët e komunikimit të cituar nga Tages-Anzeiger paralajmërojnë se ky sistem i ri nuk do t'i ndalojë 100 për qind të gjitha thirrjet bezdisëse.

Ndërsa mbrojtja për numrat celularë rritet, mashtruesit dhe firmat e sigurimeve mund të vazhdojnë të tentojnë të përdorin numra të rremë të rrjetit fiks (p.sh. me prefikse të qyteteve si 044 apo 031), ku bllokimi teknik është më i ndërlikuar. Pavarësisht kësaj, ky hap i shtetit zviceran shënon një goditje të madhe ndaj call-centrave abuzivë. /Telegrafi/