Nevzat Halili me “ultimatum” për “Iliridën”
Halili, përmes një dërgese elektronike, ka thënë se nëse krerët e institucioneve të Maqedonisë nuk do të pranojnë të takohen me të, ai do të fillojë aktivitetet e tija për arritjen e qëllimit të kahershëm të tij: funksionimin e Iliridës!
“Ky është ndoshta apel i fundit, sepse së shpejti institucionet e Republikës së Iliridës do fillojnë të funksionojnë në territoret e saj brenda kufijve”, thuhet në një email të tij, të cilin e transmeton Zhurnal.
Ai nuk ka dhënë detaje se si dhe ku do të funksionojnë “institucionet e Iliridës”, por tha se për këtë do të filloj edhe një fushatë përmes kontakteve me përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe një fushatë mediatike - pa mjete të dhunës!
“Federalizimi apo edhe konfederalizimi i Maqedonisë janë mënyrat më të mira të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Maqedoni”, konsideron Halili, sipas të cilit Maqedonia do të duhej të përbëhej nga dy njësi territoriale etnike, maqedonase dhe shqiptare, sepse në të kundërtën territoret shqiptare do të shpallin “Republikën e Iliridës si shtet të pavarur brenda kufijve ekzistues të ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë”. /Telegrafi/


