Neuer futet në histori për të keq – ai vendosi një rekord të zi në humbjen ndaj PSG-së
Manuel Neuer vendosi një “rekord” të padëshiruar në humbjen e Bayern Munichut ndaj PSG-së, një statistikë që nuk ishte parë më parë në këtë formë.
Kapiteni i rekordmenëve të futbollit gjerman jo vetëm që pranoi pesë gola në humbjen 4-5 në Paris, por sipas statistikave zyrtare, nuk regjistroi asnjë pritje të vetme.
Me fjalë të tjera, çdo goditje e PSG-së në kuadrat të portës përfundoi në gol.
Neuer është bërë portieri i parë, që prej kur kanë nisur të mbahen statistika të detajuara në vitin 2010, i cili pranon të paktën pesë gola në një ndeshje eliminatore të Ligës së Kampionëve pa bërë asnjë pritje.
Edhe pse diçka e tillë mund të ketë ndodhur edhe më herët, të dhënat e plota për pritjet dhe goditjet e ndaluara ekzistojnë vetëm për 16 sezonet e fundit.
Neuer ishte i pafuqishëm në secilin prej golave të PSG-së, njëri prej të cilëve erdhi nga pika e penalltisë.
“I patë golat. Është e vështirë të presësh njërin prej tyre. Dy herë ishte shumë afër, ku ndoshta do të kisha mundur të mbërrija ose edhe ta prekja topin”, u shpreh Neuer.
Portieri gjerman ishte gjithashtu në këndin e duhur edhe te penalltia që e çoi rezultatin në 3-2 pak para përfundimit të pjesës së parë.
“PSG ishte thjesht shumë klinik përpara portës. Ne ndoshta patëm edhe pak fat, me topin që u përplas në shtyllë ose me pastrime në vijën e fundit”, shtoi ai.
Klubi nga kryeqyteti francez goditi edhe një herë shtyllën, kur zëvendësuesi Senny Mayulu gjuajti në traversë nga një kënd i ngushtë në minutën e 87-të.
Zyrtarisht, goditje të tilla nuk llogariten si tentativa në kuadrat të portës./Telegrafi/


