Netanyahu urdhëron ushtrinë të marrë 70 për qind të territorit të Gazës: Ky është vetëm fillimi
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi në një konferencë të organizuar prej tij se ka dhënë urdhra për ushtrinë izraelite (IDF) që të marrë kontrollin mbi 70 për qind të Rripit të Gazës.
“Momentalisht, ne kontrollojmë plotësisht 60 për qind të territorit të Rripit të Gazës… dhe udhëzimi im është që të arrijmë deri në 70 për qind”, tha ai.
Kur një nga të pranishmit bërtiti se Izraeli duhet të marrë “100 për qind” të Gazës, Netanyahu u përgjigj se po veprohet gradualisht, por nuk e përjashtoi mundësinë që ky të jetë qëllimi përfundimtar.
“Do të fillojmë me 70 për qind”, shtoi udhëheqësi izraelit, shkruan cnn.
Netanyahu javën e kaluar pranoi se Izraeli tashmë kontrollon 60 për qind të territorit të Rripit të Gazës, shifër që është dukshëm më e lartë nga ajo që do të duhej të ishte nën kontrollin e tij.
Hartat e publikuara nga Izraeli në mars treguan një zonë të re të kufizuar jashtë 53 për qind të Gazës që Izraeli kishte kontrolluar pas armëpushimit të arritur me ndërmjetësimin e SHBA-së në tetor.
Zona e kufizuar, e shënuar në harta me vijë portokalli, përbën rreth 11 për qind të territorit të Gazës, përtej “vijës së verdhë”, e cila tregon pjesën e territorit që forcat izraelite kanë zënë që nga armëpushimi.
Këto zona së bashku përbëjnë pothuajse dy të tretat e territorit të Rripit të Gazës. /Telegrafi/


