Netanyahu tha se Izraeli nuk do të largohet nga Libani, reagon Trump
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se pret një armëpushim të plotë në të gjitha frontet e konfliktit në Lindjen e Mesme, përfshirë Izraelin, Hezbollahun dhe Libanin.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, lideri amerikan theksoi se Uashingtoni mbetet i përkushtuar ndaj paqes dhe u bëri thirrje palëve në rajon të mbështesin procesin e negociatave me Iranin.
“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj paqes dhe ne inkurajojmë të gjithë në rajonin e Lindjes së Mesme të ruajnë angazhimin e tyre për të lejuar që negociatat tona të zhvillohen në mënyrë të suksesshme”, shkroi ai.
Trump vlerësoi gjithashtu reagimin pozitiv të tregjeve financiare ndaj zhvillimeve të fundit diplomatike, duke theksuar se çmimet e naftës kanë rënë ndërsa tregjet e aksioneve kanë shënuar rritje.
“Ne presim një armëpushim të plotë në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, Hezbollahun dhe Izraelin”, shtoi 80-vjeçari.
Ndryshe, pas nënshkrimit të marrëveshjes së armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit, Izraeli ka premtuar sërish se nuk do të tërhiqet nga Libani.
Pika e parë e marrëveshjes SHBA-Iran bën thirrje për “ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin”. /Telegrafi/


