Please enter at least 3 characters.

Nesër kufizohet qarkullimi i kamionëve mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës

Foto: Ilustrim

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se të premten do të zbatohet kufizimi i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës, për shkak të temperaturave të larta të parashikuara.

Sipas ministrisë, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave, janë plotësuar kushtet për zbatimin e vendimit që parasheh kufizimin e qarkullimit të këtyre automjeteve.

Kufizimi do të vlejë në autoudhë nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat e parashikuara pritet të arrijnë 32 gradë Celsius ose më shumë.

Ndërkaq, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse nuk do të ketë kufizime të qarkullimit, pasi sipas ministrisë nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me vendim për zbatimin e kësaj mase.

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit bëri të ditur se do të vazhdojë monitorimin e përditshëm të temperaturave dhe do t'i njoftojë me kohë qytetarët dhe operatorët ekonomikë për çdo ndryshim që lidhet me zbatimin e këtij vendimi. /Telegrafi/