Nën moton ‘Ne ruajmë, ne mbrojmë, ne sigurojmë’’, realizohet projekti me aktivitet një ditor në Mitrovicë
Bazuar në konceptin e Strategjisë së Policimit në Bashkësi, si pjesë e angazhimeve të vazhdueshme policore në fushën e parandalimit dhe vetëdijesimit për dukuritë negative, Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë, në bashkëpunim me klubin e çiklizmit “Trepça’’ në Mitrovicë, ka realizuar projektin me moton ‘Ne ruajmë, ne mbrojmë, ne sigurojmë’.
Ky projekt u është dedikuar të gjitha shtresave të shoqërisë, ku përmes motove të shkruara që kanë bartur çiklistët duke defiluar me biçikleta nëpër rrugë të qytetit, e në veçanti në rrugë afër zonave shkollore, synohet që të përçohen mesazhe shumëdimensionale që do të ndikonin në vetëdijesimin dhe parandalimin e dukurive negative, transmeton Telegrafi.
Motot pasqyrojnë mesazhe kundër dukurive negative, kundër dhunës, kundër përdorimit të lëndëve narkotike, mesazhe për sigurinë në trafikun rrugor dhe sigurinë e përgjithshme.


