Në prag të vitit të ri shkollor, kërkohet ujë i pijshëm për nxënësit e Shkollës “Pavarësia” në Prishtinë
Banorët e lagjes ku ndodhet Shkolla “Pavarësia” në Prishtinë u janë drejtuar Drejtorisë së Arsimit, kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe nënkryetares Besianë Musmurati, me kërkesën që nxënësve t’u sigurohet ujë i pijshëm gjatë periudhës kur, sipas tyre, paraqitet problem me cilësinë e ujit, raporton Telegrafi.
Në ankesën drejtuar institucioneve komunale, banorët thonë se prej katër deri në pesë vitesh, gjatë vjeshtës, veçanërisht nga mesi i shtatorit, lagjja përballet me probleme me ujin e pijshëm, të cilat, sipas tyre, lidhen me rritjen e vlerave të manganit.
“Tash e 4–5 vite, lagjja jonë, gjatë stinës së vjeshtës, veçanërisht nga mesi i shtatorit kur fillojnë të bien temperaturat, përballet me problemin e mungesës së ujit të pijshëm, për shkak të rritjes së vlerave të manganit”, thuhet në ankesë.
Sipas banorëve, nga kjo situatë preket edhe Shkolla “Pavarësia”, ku nxënësit, siç pretendojnë ata, detyrohen të blejnë ujë të pijshëm gjatë ditëve të mësimit.
“Nxënësit detyrohen të blejnë ujë të pijshëm çdo ditë, duke ua rritur familjeve edhe më shumë koston e përditshme”, thuhet në ankesë.
Banorët kërkojnë nga Komuna e Prishtinës që të marrë masa paraprake dhe të sigurojë ujë të pijshëm për nxënësit gjatë periudhës kur paraqitet problemi, shkruan Telegrafi.
“Ju kërkoj që, gjatë kësaj periudhe problematike, të sigurohet ujë i pijshëm çdo ditë për secilin nxënës të Shkollës ‘Pavarësia’”, thuhet në kërkesën e tyre.
Ata kërkojnë gjithashtu që mjetet financiare për këtë qëllim të sigurohen me kohë, përfshirë edhe përmes procedurave emergjente nëse është e nevojshme.
“Uji i pijshëm për fëmijët nuk është luks, por nevojë themelore dhe përgjegjësi institucionale”, theksojnë banorët.
Në ankesë, banorët kanë ngritur edhe çështjen e ofrimit të shujtave të ngrohta për nxënësit, duke pretenduar se ato ofrohen vetëm për nxënësit që vijojnë mësimin gjithëditor.
Deri në publikimin e këtij lajmi, nuk është bërë e ditur nëse Drejtoria e Arsimit apo Komuna e Prishtinës kanë marrë ndonjë vendim lidhur me kërkesën e banorëve. /Telegrafi/


