Please enter at least 3 characters.

Në Ferizaj bëhen ndryshime në qarkullim në dy rrugë urbane

Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë në Komunën e Ferizajt ka njoftuar se nga data 18 qershor 2026 do të hyjnë në fuqi ndryshime në rregullimin teknik të komunikacionit në rrugët urbane “Ahmet Kaçiku” dhe “Brigada 161”.

Sipas njoftimit zyrtar, masa e re ka për qëllim përmirësimin e qarkullimit të automjeteve, rritjen e sigurisë në trafik dhe menaxhimin më efikas të fluksit të lëvizjes në këtë zonë urbane.

Me rregullimin e ri, qasja me automjete në rrugën urbane “Ilmi Hashani” dhe në rrugët anësore pranë qendrës tregtare “The Village” do të lejohet vetëm përmes rrugës “Brigada 161”. Ndërkohë, hyrja nga rruga “Ahmet Kaçiku” nuk do të lejohet më, por kjo rrugë do të shërbejë vetëm për dalje të automjeteve.

Nga ky ndryshim përjashtohen shërbimet e ushqimit të shpejtë “KFC” dhe “Burger King”, për të cilat hyrja dhe dalja do të vazhdojnë të jenë të mundshme sipas qasjeve ekzistuese të përcaktuara për këto biznese.

Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë sinjalizimin e ri rrugor dhe të përshtatin lëvizjen e tyre në përputhje me rregullimin e ri, me qëllim të sigurimit të një qarkullimi më të rregullt dhe më të sigurt. /Telegrafi/