Please enter at least 3 characters.

​Ndryshimi nga AAK në Aleancë, kush e përbënte koalicionin në themelim, cili është historiku i emërtimit?

Ndryshimi i emrit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Aleancë pokonsiderohet një hap i rëndësishëm në riorganizimin e brendshëm të subjektit politik dhe përshtatjen e tij me zhvillimet e reja strukturore dhe udhëheqëse.

Anëtari i Kryesisë së Aleancës, Ahmet Isufi, shpjegoi arsyet e këtij ndryshimi, duke theksuar se ai lidhet me transformimet dhe rifreskimin e strukturave partiake ndër vite.

“Emri, është ndryshuar për shkak se ka ndryshuar edhe struktura e AAK-së përgjatë këtyre viteve dhe po ashtu ndryshimi edhe në nivelin e udhëheqjes që ka ndodhur me tërheqjen e Haradinajt e që bartet tradita më tutje në Aleancë, me njerëzit që e kanë formuar dhe për shkak emrit të gjatë..4:28 Tradita vazhdon, por që normalisht duke iu përshtatur edhe kushteve që ekzistojnë. Çdo parti që rifreskohet me kuadrot e reja, njëkohësisht ka themelin e traditës, por që e vazhdon më tutje edhe me kuadro të reja e politikë të re, që ka për qëllim zhvillimin e vendit, sigurinë, energjinë si motiv e ekonomi. Në zgjedhjet e 7 qershorit e shohim mundësinë e rritjes së Aleancës për shkak se kemi një angazhim të tërë strukturave tona, njëkohësisht kemi ndryshim sa i përket kryetarit, por që Gjini është që nga themelimi, që në esencë nuk ka ndonjë ndryshim radikal, emri vetëm u shkurtua, Aleanca vazhdon me të njëjtën energji “, tha Isufi.

Ndërsa, kryetari I PSHDK-së, Zef Morina, duke e komentuar këtë ndryshim të emrit nga AAK n Aleancë , e quajti çështje të brendshme të partisë, por duke theksuar se historia dhe identiteti i subjektit politik lidhen ngushtë me emrin e vjetër.

“Kjo është çështje e brendshme e partisë. Por, siç e dini edhe ju besoj që fillimisht kjo parti nuk u quajt Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por u quajt Aleanca Qytetare. Po, kanë qenë disa subjekte politike. Ka qenë zotëri Maloku, ka qenë Bajram Kosumi e ndërkohë pas zgjedhjeve, nëse s’gabohem të vitit 2000, e kanë kthyer Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Sigurisht, si subjekt politik, tash kjo është në njëfarë mënyre është familjarizuar me qytetarët e Kosovës, pavarësisht votave sa ka marrë, edhe në njëfarë mënyre kjo identifikohet me zotëri Haradinajn, Ramushin. Ndryshimi i emrit ndoshta reflekton pikërisht me zgjedhjen e kryetarit të ri dhe shpresat e tyre, sigurisht, është që të kenë një rezultat më të mirë seç e kanë pasë deri më tani. Por, unë mendoj që kjo është thjesht, po thua, një subjekt i ri politik, i cili do t’i hutojë anëtarësitë e vetë Aleancës, sidomos anëtarësinë e zonave rurale, të cilët më tepër, në njëfarë mënyre, janë janë familjarizuar me emrin Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës”, u shpreh Morina.

Isufi ka folur edhe për historikun dhe motivin e themelimit të subjektit politik, duke përmendur edhe kontributin e luftës për liri.

“E kishim parasysh përfundimin e luftës në Kosovë dhe duke qenë se Haradinaj dhe një pjesë e jona ishim ata që kishim kontribuar në çlirimin e vendit, menduam se ardhmëria është ajo që na përket neve si gjeneratë, por edhe gjeneratave që vijnë. Ky ka qenë interesimi që të bëhet me një emër, meqë lidheshin shumë parti politike si aleancë edhe nga aspekti ushtarak. Ardhmëria e Kosovës ka qenë motiv i yni, sepse kemi sakrifikuar që të kemi liri, pavarësi, shtet, ushtri”, u shpreh Isufi.

I pyetur nëse ndryshimi i emrit dhe afërsia me zgjedhjet mund të ndikojë në rezultatin zgjedhor të parties, ai u shpreh se Aleanca do të ketë shumë të vështirë të arrijë rezultatin që e ka pasur më 28 dhjetor.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është themeluar në vitin 2000 si një koalicion i disa subjekteve politike me të kaluar patriotike dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Fillimisht e njohur si Aleanca Qytetare, më vonë u konsolidua si subjekt politik dhe mori emrin Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke garuar në zgjedhjet parlamentare dhe komunale si parti e pavarur.

Në fillim, AAK-ja, ishte një koalicion i këtyre partive atdhetare: UNIKOMB, Partia Parlamentare, Lëvizja Popullore e Kosovës, Aleanca Qytetare e Kosovës, Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës dhe Unioni Shqiptar Demokristian.