Please enter at least 3 characters.

Ndodh edhe kjo, Bayerni e largoi ish-yllin nga ekipi përmes një mesazhi në WhatsApp

Vera e kaluar, drejtori sportiv i Bayern Munichut i kishte kërkuar Kingsley Comanit që të gjente një klub të ri në një mënyrë të pazakontë, sipas Bild.

Gazeta raporton se sulmuesi francez i krahut ka marrë një mesazh në WhatsApp më 30 korrik 2025. Në atë shënim ai “nxitej” që të “rishqyrtonte një transferim në Arabinë Saudite”. Dërguesi i mesazhit nuk bëhet i ditur.

Siç kishte ndodhur edhe gjatë disa muajve paraprakë, Coman vazhdonte të shihej si kandidat për t’u larguar nga kampionët rekord të Gjermanisë.

Sipas raportimeve, drejtori sportiv Max Eberl kishte provuar që në janar ta bindte reprezentuesin francez të kalonte në Superligën e Arabisë, por pa sukses.

Në verë, u bë përpjekja e dytë, menjëherë pas transferimit të anësorit kolumbian, Luis Diaz.

Kolumbiani kishte mbërritur në Gjermani nga Liverpooli për 70 milionë euro, pak para mesazhit në WhatsApp, ndërsa shitja e Coman-it një vit para skadimit të kontratës synonte të rikuperonte një pjesë të kësaj shume dhe njëkohësisht të kursente nga paga e lartë e “heroit” të Ligës së Kampionëve 2020.

Këtë herë, klubi bavarez pati më shumë sukses: Coman u transferua te Al-Nassr më 15 gusht, me 25 milionë euro që përfunduan në arkën e Bayernit.

Sipas Bild, shuma mund të kishte qenë edhe më e ulët. Eberl raportohet se u kritikua brenda klubit se u pajtua shumë shpejt me atë vlerë, ndërsa më pas kryetari i bordit, Jan-Christian Dreesen, rihapi bisedimet me sauditët, duke siguruar edhe 5 milionë euro shtesë.

Coman kaloi një dekadë te Bayern Munich, duke fituar 20 trofe. 72 golat e tij për klubin përfshijnë edhe goditjen vendimtare në finalen e Ligës së Kampionëve 2020 kundër ish-skuadrës së tij, PSG-së./Telegrafi/