Ndërroni parkingun, por zogjtë gjithmonë ju gjejnë: Pse bëjnë glaca pikërisht mbi makinën tuaj?
Nuk është hakmarrje dhe as rastësi: vendi ku e parkoni makinën dhe një detaj që ndoshta nuk e keni vënë re mund t’i bëjnë zogjtë të kthehen vazhdimisht
Me siguri ju ka shkuar ndonjëherë në mendje se i keni bërë diçka zogjve, sepse sa herë i afroheni makinës për të shkuar në punë ose për të bërë pazar, ju pret një pamje që t’ju prishë humorin – makina është e “spërkatur” me një shtresë të bardhë në të gjelbër dhe ngjitëse. A e lëshojnë zogjtë jashtëqitjen dhe, në mënyrë të zgjuar, e “shënjestrojnë” makinën tuaj duke kryer nevojat pikërisht mbi të? A ka zgjidhje për këtë problem? Ekspertët thonë se po – nuk është e lehtë, por funksionon.
Çdo pronar makine e njeh atë ndjesinë e tmerrshme kur zbulon jashtëqitje zogu në automjetin e tij. Zogjtë janë po aq të pranishëm në qiellin e qyteteve sa edhe në zonat rurale, që do të thotë se çdo makinë që ndodhet poshtë tyre teksa fluturojnë mund të bëhet lehtësisht objekt i jashtëqitjes së tyre.
Pavarësisht nëse makina juaj është parkuar në oborr, në parking apo jeni ndalur diku gjatë rrugës, asnjë automjet nuk është imun ndaj jashtëqitjeve të herëpashershme të zogjve.
Por nëse ndonjëherë keni pyetur veten pse zogjtë kryejnë nevojat vazhdimisht pikërisht mbi makinën tuaj ose pse i njëjti zog kthehet vazhdimisht për t’ju “ndëshkuar”, nuk jeni të vetmit. Edhe pse mund të duket personale, ekspertët e botës së egër thonë se ekziston një shpjegim i thjeshtë, i lidhur me vendin ku e parkoni makinën dhe me atë që ndodh përreth saj, transmeton Telegrafi.
A e “shënjestrojnë” zogjtë qëllimisht makinën tuaj?
Besoni ose jo, zogjtë nuk janë të zemëruar me ju dhe as nuk kanë ndonjë antipati ndaj makinës suaj. Ata thjesht reagojnë ndaj asaj që po ndodh përreth tyre.
Ekspertët thonë se kjo sjellje e zogjve lidhet shumë më tepër me vendin ku është parkuar makina sesa me vetë automjetin. Zogjtë thjesht bëjnë atë që u duhet të bëjnë çdo ditë dhe, ndonjëherë, makina juaj ndodhet pikërisht poshtë tyre në momentin e gabuar.
A i tërheq zogjtë ngjyra e makinës?
Një nga mitet më të përhapura për jashtëqitjet e zogjve mbi makina është se disa ngjyra të automjeteve janë më tërheqëse për ta se të tjerat.
Edhe pse ky besim është i përhapur mes shoferëve, ekspertët thonë se vetë ngjyra nuk e bën një makinë më tërheqëse për zogjtë. Megjithatë, jashtëqitjet e zogjve dallohen më lehtë në disa ngjyra të automjeteve, gjë që mund të krijojë përshtypjen se makinat me këto ngjyra janë më shpesh në shënjestër.
Një tjetër pyetje që shqetëson pronarët e makinave është nëse zogjtë kanë më shumë gjasa të kryejnë nevojat mbi një makinë të pastër. Edhe pse në një automjet të sapolarë jashtëqitja mund të dallohet më lehtë, nuk ka prova se zogjtë kërkojnë në mënyrë të veçantë makinat e pastra.
Arsyeja pse një makinë e sapolarë duket sikur bëhet “shënjestër” është aktiviteti i zogjve përreth saj dhe jo pamja e automjetit.
Pra, nëse ngjyra nuk është arsyeja pse zogjtë shfaqen vazhdimisht pranë makinës suaj, çfarë i tërheq ata drejt automjeteve?
Në disa raste, karakteristika të tjera të makinës ose të mjedisit përreth saj mund të luajnë një rol më të madh. Një prej tyre është reflektimi.
Një sipërfaqe e shndritshme ose një pasqyrë mund të interpretohet nga zogu si prania e një zogu rival. Kjo mund ta bëjë atë të qëndrojë më gjatë në atë zonë dhe, për pasojë, të kryejë nevojat pikërisht mbi makinën që ju e konsideroni “të shënjestruar”. /Telegrafi/


