Please enter at least 3 characters.

Ndërhyrje komplekse në Spitalin e Pejës, hiqet me sukses tumori retroperitoneal

Një ndërhyrje komplekse kirurgjikale është realizuar me sukses në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, ku është trajtuar një tumor retroperitoneal bilateral me përfshirje të strukturave të mëdha vaskulare.

Sipas njoftimit të spitalit, masa tumorale kishte rrethuar aortën abdominale dhe venën kava inferiore, me shtrirje deri në nivelin e arterieve iliake, ndërsa ishte përfshirë edhe ureteri i majtë.

Pas një diseksioni të kujdesshëm dhe të kontrolluar, ekipi kirurgjik ka arritur rezeksionin e plotë të tumorit. Gjatë ndërhyrjes është hequr edhe veshka e majtë, e cila ishte e përfshirë nga masa tumorale.

Operacioni është kryer nga urologu Dr. Kushtrim Fejza dhe kirurgu Dr. Bujar Vrella, në bashkëpunim me ekipin e Anestezionit dhe ekipin e sallës operative.

Nga Spitali i Përgjithshëm i Pejës kanë theksuar se raste të tilla kërkojnë planifikim multidisiplinar, përvojë të avancuar kirurgjikale, koordinim të lartë të ekipit dhe menaxhim të kujdesshëm të strukturave vaskulare dhe retroperitoneale.

Spitali ka shprehur mirënjohje për mjekët dhe të gjithë ekipin e përfshirë në ndërhyrje, duke vlerësuar profesionalizmin e tyre në realizimin me sukses të këtij operacioni.