Please enter at least 3 characters.

Ndalimi i studentëve shqiptarë në kufi, Meidani: Cenohet fryma europiane e rajonit

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani ka reaguar lidhur me ndalimin e studentëve shqiptarë për të marrë pjesë në protestën e djeshme në Shkup.

Meidani thotë se me këtë veprim cenohet fryma evropiane e rajonit.

"Kur studentë ndalohen, vonohen dhe intimidohen teksa udhëtojnë për të shprehur paqësisht solidaritet për një të drejtë gjuhësore, çështja pushon së qeni vetëm procedurale. Ajo prek vetë mirëkuptimin demokratik dhe frymën europiane që synojmë të ndërtojmë si rajon.

Studentët shqiptarë nga Tirana udhëtuan drejt Republikës së Maqedonisë së Veriut jo për përplasje, por për solidaritet qytetar dhe për të mbështetur një kërkesë elementare: të drejtën për t’u testuar dhe për të ushtruar profesionin në gjuhën amtare.

Këta të rinj nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë dinjitet, barazi dhe respekt për të drejtat themelore.

Dhe një kërkesë për dinjitet nuk duhet të perceptohet kurrë si kërcënim, sidomos në vende që synojnë t’i bashkohen familjes europiane dhe të ndërtojnë të ardhmen mbi vlerat e demokracisë, barazisë dhe të drejtave themelore", thotë Meidani.

Dje u raportuar se në pikën kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut janë ndaluar disa studentë të cilët vinin në Shkup për t'ju bashkangjitur protestës së studentëve për gjuhën shqipe./Telegrafi/