Please enter at least 3 characters.

Ndahet nga jeta në moshën 75-vjeçare artistja e njohur Bonnie Tyler

Këngëtarja Bonnie Tyler, e njohur për hitet e saj si "Total Eclipse of the Heart", "Holding Out for a Hero" dhe "It's a Heartache", ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare.

Një njoftim i publikuar në faqen zyrtare të artistes së njohur uellsiane, e famshme për baladat e saj të fuqishme, bënte të ditur:

"Familja dhe ekipi i Bonnie-t janë të pikëlluar të njoftojnë se Bonnie ndërroi jetë papritur mbrëmë në një spital në Portugali, si pasojë e sëmundjes për të cilën po merrte trajtim".

Në muajin maj, këngëtarja nga Skewen, në Uellsin jugor, ishte vendosur në koma të induktuar pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente kirurgjikale në zorrë në Portugali.

Muajin e kaluar, zëdhënësi i saj tha se ajo kishte dalë nga koma, por vazhdonte të ishte "në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe nën kujdes intensiv".

Deklarata zyrtare, e publikuar të enjten në mëngjes, vijonte:

"Do të publikojmë një deklaratë të mëtejshme së shpejti, por për momentin kërkojmë privatësi për t'u përballur me këtë tragjedi."

Tyler, e lindur me emrin Gaynor Hopkins, u rrit në një shtëpi sociale në qytetin Neath.

Ajo u zbulua nga kërkuesi i talenteve Roger Bell në një klub në Swansea dhe publikoi këngën e saj të parë, "Lost in France", në vitin 1977.

"It's a Heartache", balada country-pop e publikuar po atë vit, u rendit në vendin e katërt në klasifikimin britanik të këngëve dhe në vendin e tretë në listën amerikane Billboard Hot 100.