Mungesë llogaridhënieje dhe cenim i privatësisë, Avokati i Popullit kritikon Specialen pas vizitës në Hagë
Avokat i Popullit, Naim Qelaj ka ngritur disa shqetësime lidhur më zbatimin e legjislacionit të Kosovës në raport me procedurat që zhvillon Gjykata Speciale me mbrojtjen e viktimave dhe të dëshmitarëve të mbrojtur.
Në një konferencë për media pas vizitës në Dhomat e Specializuara në Hagë, Qelaj u shpreh kritik ndaj Speciales për kufizimet e gjykatës në vizitat te të paraburgosurit.
Qelaj tregoi për vështirësitë gjatë komunikimit me të paraburgosurit duke potencuar se intervistat që kishte me Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin u realizuan në kushte që cenojnë rëndë pavarësinë dhe të drejtën që ka Avokati i Popullit.
“Kemi zhvilluar një intervistë me zotin Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi. Ajo çfarë dua të them në këtë rast është që gjithë vizita dhe komunikimi me këta persona kanë qenë nën monitorim të plotë, në pamundësi për të marr shënime dhe në kushte që konsideroj që cenojnë rëndë pavarësinë dhe të drejtën që ka Avokati i Popullit si institucion kushtetues për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të ketë qasje të papenguar në komunikim me personat që ndodhen në paraburgim.
Natyrisht që këtë shqetësim unë do ta ngreh edhe në gjykatë edhe në mekanizmat tjerë ndërkombëtar sepse për mua brenda mandatit tim pesë vjeçar ka qenë hera e parë që unë detyrohem ta bëjë një bisedë me një i cili ndodhet i privuar nga liria në një formë të tillë që besoj që është në kundërshtim me të gjitha rregullat që Këshilli i Evropës, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Komiteti për Parandalimin e Torturës i Evropës i ka përcaktuar duke kërkuar që komunikimi të tjetër i lirshëm”, tha Qelaj.
Ai vuri në dukje se procedurat në gjykatë shfaqin mungesë të qartë të llogaridhënies, çka sipas tij dëmton besimin publik dhe integritetin e institucionit. Qelaj shtoi se kjo mungesë transparence është vërejtur edhe gjatë takimeve me palët e përfshira në proces, raporton kp.
“Ajo që kemi vërejtur ne gjatë kësaj vizite është që gjithë procesi që po zhvillohet në këtë gjykatë përcillet me një mungesë të llogaridhënies dhe transparencës, shqetësim që është ngritur me palët që i kemi takuar dhe si rezultat i një mungese të tillë del që po cenohen parimet e kontrollit demokratik, gjë që rritë pasigurinë në publik dhe dëmton integritetin e gjykatës por edhe besimin publik në të”, bëri të ditur Qelaj.
Tutje, Qelaj u fokusua te të drejtat e brendshme të të paraburgosurve. Ai tha se ka vërejtur kufizime në oraret e kontakteve dhe vizitave familjare, përfshirë edhe monitorimin e plotë të këtyre komunikimeve. Sipas tij, këto masa jo vetëm që bien ndesh me të drejtën për privatësi, por vendosen edhe pa afat kohor të përcaktuar.
“Kemi vërejtur edhe kufizime të të drejtave të paraburgosurve brenda hapësirave të burgut, si në kohën ose orarin e kontaktimeve dhe vizitave familjare ashtu edhe në monitorimin e plotë të këtyre vizitave, duke cenuar parimin e privatësisë dhe jetës familjare dhe ajo që ne na del më shqetësuese për çka edhe do të kërkojmë përgjigje nga gjykata dhe autoritet përgjegjëse është fakti se vendimet për kufizimet e kësaj natyre janë në kohë të pacaktuar”, theksoi Qalaj.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit 2020. Ata ngarkohen për krime lufte, teksa janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023.


