Please enter at least 3 characters.

Mulliri i prishur

Kur isha i vogël, bluaja shpesh kafe me një mulli të vjetër, të cilin nëna ime e ruante me kujdes të veçantë. Në njërën anë si një kujtim të çmuar dhe në anën tjetër, si një send me vlerë që e kishim asaj kohe. Por, një arsye tjetër se pse ai mulli kafeje ruhej me kujdes, ishte cilësia e kafes që bluante. Ai bluante imët, e për këtë arsye kafja turke e bërë në kushte shtëpiake ishte më cilësore. Kafja jo e djegur shumë, dhe e bluar imët, sillte më pas një filxhan me kafe të mirë. Njerëzit e arsyeshëm, luftojnë për të arritur gjërat cilësore.

Ashtu sikurse çdo gjë tjetër në këtë botë, mulliri i kafesë filloi të humbiste vlerën, por jo kujtimin. Ai nuk bluante më së dikur. Kafeja e nxjerrë prej tij, filloi të dilte gjithnjë e më e trashë. Pjesa e brendshme, e cila kryente procesin, dalëngadalë filloi të konsumohej. Dikur edhe guri, humbet forcën. Mulliri prej bakri, filloi të na linte pak e nga pak. Në dritaren ku e vendosnim, tek i cili binte pak diell, mbeti për një kohë të gjatë. Bakri u shfaq në pjesën e tij të jashtme. Lagështia dhe koha, e “tradhtuan” atë dhuratë, të cilën nëna ime e kishte kujtim . Ishte blerë larg dhe si ai mulli, nuk mund të gjendej më.

Edhe pse me vlerë në familjen tonë, erdhi një moment, që mulliri mbeti vetëm relikte. Kafja e hedhur në të, shkonte xherime, sepse nuk bluhej ashtu sikurse duhej. Ndërsa kur rrotullohej për të kryer procesin, një zhurmë që si ishte dëgjuar më parë e shoqëronte. Pas shumë kohësh, kur unë isha rritur, nëna ime e braktisi atë. Erdh’ një moment që e kuptoi se sado me vlerë qe për të, ky mulli kafeje, nuk mund t’i shërbente. Dëshira e saj për kafe turke, bëri që të blinim një tjetër. I pari, mbeti në sirtar.

Shpesh herë kur e kujtoj kafenë turke, më kujtohet edhe mulliri i vjetër, që kur isha i vogël më bezdiste jo pak duke e rrotulluar, më shumë se sa më lodhte. Një lloj historie që më la gjurmë në mendjen time. Një rrotullim, që solli të tjera kohë. Një kujtim, dikur i mërzitshëm, por tanimë shumë kuptimplotë. Njeriu, duhet të di të jetë i arsyeshëm, edhe atëherë kur mbi të mund të jetë dashuria, pasioni, dëshira, egoizmi.

E nëse kjo ndjenjë kalon në marrëzi, atëherë humbet arsyeja. Nëna ime e braktisi mullirin e vjetër, edhe pse pas tij pati një kujtim, një dëshirë dhe një pasion (cilësia e kafesë). Tek vështroj tani shumë më vonë, them se koha konsumon edhe gurin, më të fortin element. Ndërsa njeriu është njëri prej krijesave që Zoti, e ka krijuar për t’u konsumuar, të paktën në këtë botë. Pranvera e këtij viti, na gjeti në zgjim pranveror, pas një konsumimi, por edhe në një “pranverë” zgjedhjesh.

T’i ndjesh ritmet e fushatës, i ngjasojnë disi mullirit të vjetër. Tashmë, ditët po afrojnë dhe gara ashpërsohet deri në humbje të arsyes dhe qetësisë. Politikanët, me sa duken qëndrojnë veç këto kohë, e gjumi si zë. Mulliri për të punuar, duhet të kishte edhe kafenë, sepse vetëm atëherë ai e përmbushte plotësisht misionin e tij. Po “ç’kafe” po bluhet në këtë teatër politik shqiptarë? Cila është cilësia e tij? Zhurma e “mullirit” politik ka filluar të bëhet acarues.

Ndërsa “prodhimi”, i ngjason mbeturinave të kohëve të shkuara, kur politika nuk ishte shndërruar ende në fushë beteje ku luhej jeta e mijëra njerëzve. Në teatrin politik shqiptar, po luhet një lloj tjetër historie, që hajde merr vesh se ç’përfundim do të ketë. Para pak ditësh, një ide e “madhe” erdh’ nga Partia Demokratike. Afati i mbetur i parlamentit të “popullit”, i kishte mbetur pak kohë për ta shfrytëzuar në një betejë tjetër politike, për të rrëzuar në shpinë kundërshtarin. Edhe një komision parlamentar për kreun e qeverisë së kryeqytetit.

Sapo e dëgjova, m’u kujtua megafoni i vitit 2003, të përdorur nga Rama, si instrumentist i mirë, por që ishte një zë dëshpërues për veten dhe për të gjithë dëgjuesit e tij në sallën me në krye Sokol Olldashin. Pyeta: E cila ishte ideja e një komisioni të tillë, pas rreth 6 vitesh? S’ka se si të ishte ndryshe, veçse një përpjekje për të “bluar” akuza, të cilat edhe pse të vërteta në disa raste, nuk kanë asnjë rezultat.

Qëllimi nuk është cilësia, por sasia. E kur humbet esenca e cilësisë, sasia është produkt masiv pa vlerë. Kjo ishte një kleçkë e vogël, që demokratët menduan t’ia dhurojnë Edi Ramës në këto prag zgjedhjesh. Ai, (Rama), si gjithmonë i fortë në qëndrim. Politika dhe imazhi publik, njerëz të pa lëkundur kërkojnë. Pastaj, akuzat nuk shkojnë kurrë deri në qëllimin përfundimtar, që mund të jetë burgu (meqë historia ka shpikur burgun si formë dënimi).

Në Shqipëri, burgjet nuk mund të jenë krijuar kurrë për njerëzit e pushtetit. Për ata të lidhur me pushtet sigurisht që po. Rastet janë të shumta. Një lloj Delijorgji, dergjet në burg. Ende nuk e dimë, se kurban i kujt pushtetari qe. Nga ana tjetër, Rama është bërë një megafon në katror, me kërkesën e tij të përditshme, që tashmë e ka quajtur “heqja e taksës së votës”. Kërkesa shpesh herë i ngjan një dëshpërimi, të një gjeli të mbetur në baltë, e përveç kësaj, edhe kakaris. Nuk besoj se ka ndonjë shqiptar në këtë anë, që të mos ketë dy mijë lekë të vjetra për t’u pajisur me kartë identiteti.

Ata që nuk kanë fare, dhe qe janë në mjerim, nuk do të jenë kurrë të interesuar që ta marrin këtë mjet edhe falas. Kësaj here, qeveria Berisha toleroi jo pak. Problemi nuk është pagesa, por indiferenca e qytetarëve, pasi zyrat e gjendjes civile janë funksionale pothuajse në të gjitha rastet. E përveç kësaj, që duhet të jetë një nga problemet më të rëndësishme për Shqipërinë sot, ne na duhet të dëgjojmë edhe “prodhimtarinë” politike pa kuptim, e cila nuk i shërben askujt.

Historia nuk ndalon këtu. Të zgjuarit sy e veshë, ata të politikës, këso kohësh nuk i zë as gjumi. E n’i zëntë, me siguri që në ëndrra iu shfaqen trillime e akuza të gjithë far sojesh. Sepse në të jenë të gjithë të vërteta, të më ndjeni, por e gjitha kjo ose është çmenduri, ose është lojë me skenarë të përgatitur. Me siguri që kjo e dyta, duket më bindëse, nëse vështron pak me skepticizëm, e nëse njërin vesh e mban gjithmonë hapur për të dëgjuar jo atë që thuhet, por ata që fshihet pas asaj që thuhet.

Por, mund të them se edhe çmenduria mund të zërë pak vend në këtë mes. Të merresh gjithmonë me të njëjtën histori, vetëm prej njeriu normal nuk mund të jesh. Një Republikë e çuditshme me njerëz të çuditshëm. Këtu, “mulliri” prodhon vetëm akuza dhe shpifje, prodhon atë që nuk duhet prodhuar. Në politikën shqiptare të fusësh kafe në mulli, me siguri që do të dalë miell mistri, i cili edhe pse i ngrënshëm, kafe turke në filxhan nuk mund të bëhet.

Nëna ime e braktisi mullirin e vjetër. Sado i mirë që ishte, pati edhe ai momentin e tij. Ah, sikur të kishte të njëjtin fat edhe kjo lojë të marrësh në këtë qytet politik të bastarduar?!