Please enter at least 3 characters.

Mourinho zbulon prapaskenat: Barcelona e largoi Samuel Eto’o, nuk e donte më

Jose Mourinho ka zbuluar se nuk iu desh të bënte asgjë për ta motivuar Samuel Eto'on për përballjen ndaj Barcelonës në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2009.

Sulmuesi kamerunas ishte larguar nga klubi katalanas gjatë verës së atij viti, pasi Barcelona vendosi të transferonte Zlatan Ibrahimovicin dhe ta përfshinte Eto'on në marrëveshjen me Interin.

Vetëm disa muaj më vonë, shorti i Ligës së Kampionëve vuri përballë Interin dhe Barcelonën në një nga duelet më të paharrueshme të historisë së kompeticionit, ndërsa Mourinho beson se ish-sulmuesi i tij kishte motivim të mjaftueshëm pa pasur nevojë për ndihmë shtesë nga trajneri.

"Në Barcelonë e larguan atë. Nuk e donin më. Ata donin ta blinin Zlatan Ibrahimovicin dhe dëshironin që Eto'o të largohej".

"Eto'o u largua nga Barcelona për te Interi dhe më pas perënditë e futbollit vendosën që gjysmëfinalja të ishte pikërisht kundër Barcelonës. Mendoni se duhej të bëja diçka për ta bindur atë lojtar? Jo. Ai e bëri vetë. Ai donte të fitonte".

"Eto'o donte ta eliminonte Barcelonën nga Liga e Kampionëve. Ai donte të fitonte kundër tyre dhe donte ta fitonte Ligën e Kampionëve me çdo kusht".

"Unë nuk bëra asgjë", deklaroi Mourinho në një podcast të fundit.

Interi i drejtuar nga portugezi arriti ta eliminonte Barcelonën në gjysmëfinale dhe më pas fitoi Ligën e Kampionëve, duke kompletuar një sezon historik me tripletën.

Në anën tjetër, Ibrahimovici e mbylli aventurën e tij te Barcelona pa arritur ta fitonte trofeun më të rëndësishëm evropian për klube./Telegrafi/