Mourinho i vendos dy kushte Real Madridit, mediumi i njohur spanjoll zbulon detajet e negociatave
Jose Mourinho është kandidati kryesor për stolin e Real Madridit, shkruan AS, duke theksuar se trajneri portugez ka dy kërkesa të qarta për ta pranuar rikthimin në “Santiago Bernabeu”.
Sipas medias spanjolle, në Madrid po rritet besimi se Mourinho është profili ideal për ta rikthyer klubin në rrugën e duhur pas periudhës së fundit, ku ekipi është udhëhequr nga Xabi Alonso dhe Alvaro Arbeloa.
Kontakti i parë, sipas AS, është bërë mes përfaqësuesit të Mourinhos, Jorge Mendes, dhe Real Madridit, por negociatat pritet të intensifikohen vetëm pasi të përfundojnë kampionatet respektive.
Në të njëjtën kohë, AS raporton se Mourinho ka në tavolinë edhe një ofertë nga Benfica për zgjatje kontrate. Portugezi dëshiron të mbetet i fokusuar te projekti aktual deri në fund të sezonit, i cili përfundon pas një jave, dhe më pas të marrë vendim për të ardhmen. Burime të afërta me situatën theksojnë se ende nuk ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë mes Mourinhos dhe Real Madridit, dhe se kjo pritet të ndodhë në fazën e fundit, kur të negociohen detajet.
Dy kushtet e Mourinhos për rikthim në Madrid
Sipas AS, kërkesa e parë e Mourinhos lidhet me ndikimin në afatin kalimtar. Ai nuk kërkon të vendosë për emra të veçantë, por dëshiron të ketë rol në përcaktimin e pozicioneve që duhet të përforcohen, pasi vlerëson se skuadra aktuale është e pabalancuar në disa zona.
Gazeta kujton se në periudhën e tij të parë te Real Madridi (2010-2013), ku fitoi tre trofe, klubi afroi lojtarë si Luka Modric, Sami Khedira dhe Mesut Ozil, të cilët u konsideruan pjesë e kërkesave të tij.
Kushti i dytë ka të bëjë me strukturën e klubit. Mourinho këmbëngul në një hierarki të qartë dhe respektim të autoritetit në të gjitha departamentet, në mënyrë që të shmangen situata që mund të destabilizojnë dhomën e zhveshjes dhe të rrezikojnë rezultatet sportive.
Klauzola te Benfica, Realit i hapet “dritarja”
Një tjetër detaj i rëndësishëm që zbulon AS lidhet me kontratën e Mourinhos te Benfica. Ajo përmban një klauzolë largimi prej 3 milionë eurosh, por vetëm brenda 10 ditëve pas ndeshjes së fundit të sezonit të klubit portugez.
Kjo do të thotë se Real Madridi mund të ketë një afat të shkurtër për ta mbyllur marrëveshjen me një kosto të kontrolluar, nëse vendos të veprojë shpejt. /Telegrafi/


