"Mos zbatimi i urdhërave të zyrtarit policor", policia konfirmon arrestimin e kandidatit për deputet nga PDK-ja
Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e një personi gjatë zhvillimit të punimeve për rrënimin e ish-pompës së derivateve “Patroni”, në hapësirën ku pritet të ndërtohet objekti i ri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili në një prononcim për Telegrafin tha se personi është shoqëruar në stacion policor për mosrespektim të urdhrave policorë.
“Sot rreth orës 10:30 një person është shoqëruar në stacion policor për shkak të mos zbatimit të urdhërave të zyrtarit policor, për largim nga vendi ku po zhvilloheshin punime. Të gjitha veprimet e mëtutjeshme janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, ka deklaruar Pllana.
Ndërkohë, sipas raportimeve në media, personi i arrestuar dyshohet të jetë Qëndrim Kryeziu, kandidat për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, megjithatë një gjë e tillë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.
Ministria e Bujqësisë ka bërë të ditur më herët se ka nisur zyrtarisht faza e punimeve në kuadër të projektit për rrënimin e objekteve ekzistuese, ku do të ndërtohet objekti i ri i ministrisë. /Telegrafi/


