Please enter at least 3 characters.

Mos e gjykoni fëmijën përmes babait të tij nazist

Një dokumentar i ri zbulon se Walther Frisch, ish-ushtar danez i Vafen-SS-it [Waffen-SS], i burgosur pas luftës, më vonë u bë dhurues sperme.

Foto: Privatfoto

Bindjet politike nuk barten përmes gjakut.

Nga: Guy Walters / The Telegraph (titulli: Don’t judge a child by his Nazi sperm donor father)
Përkthimi: Telegrafi.com

Ka disa gjëra që mund të shpresoni t’i zbuloni përmes një testi të ADN-së të bërë në shtëpi: një kushëri i papritur dhe i këndshëm, një shpjegim për flokët e tua të kuqe, ndoshta edhe dëshmia se familja jote vërtet rrjedh nga një familje mbretërore evropiane e rangut të ulët. Një baba biologjik i cili nuk i ishte betuar për besnikëri Adolf Hitlerit do të dukej kërkesë modeste dhe, në të vërtetë, ashiqare e arsyeshme.

Për fëmijët e Walther Frischit edhe kjo doli të jetë e tepërt për t’u kërkuar. Një dokumentar i ri në Danimarkë zbulon se Frischi, ish-ushtar danez i Vafen-SS-it [Waffen-SS], i burgosur pas luftës, më vonë u bë dhurues sperme në një spital në Suedi. Janë identifikuar të paktën 15 fëmijë në katër vende. Njëri prej djemve të tij beson se numri i vërtetë mund të jetë mbi 100, gjë që nuk është e pamundur.

Dy nga djemtë e tij tani po pyesin veten nëse ngjizja e tyre i shërbeu një qëllimi ideologjik. A po dhuronte Frischi thjesht spermë apo po ndiqte programin e tij të përhapjes racore, siç kishte bërë thirrje kreu i SS-it, njëfarë Heinrich Himmleri? Fatkeqësisht, spitali thotë se nuk është në gjendje ta verifikojë këtë.

E gjithë kjo shtron një pyetje të pakëndshme. A duhet që bindjet e tmerrshme ta diskualifikojnë një burrë nga dhurimi i spermës?

Përgjigjja instinktive mund të varet nga dhuruesi i propozuar. Pak lexues të Telegraph-it do të kënaqeshin po të zbulonin se Jeremy Corbyni ishte babai i tyre biologjik. Në Islington, zbulimi i barasvlershëm mund të përfshinte Nigel Faragein. Apo, ç’mund të thuhet për dikë vërtet ekstrem, si David Icke?

Edhe nëse bindjet politike të dikujt nuk janë të papranueshme, ka edhe rreziqe të tjera. A do të donit që babai juaj të ishte personi i cili beson se Toka është e sheshtë, një evangjelist i kriptomonedhave, një burrë që flet për “markën e tij personale”, apo - më e keqja- dikush që duartroket kur aterron avioni i tij i Ryanair-it?

Shumica do të kishin personalisht kundërshtime ndaj të paktën njërit prej këtyre tipave. Por, ç’është më e rëndësishmja, kjo nuk do të thotë se edhe shteti duhet të ketë.

Sigurisht, bindjet politike nuk barten përmes spermës. Dhuruesi kontribuon me material gjenetik - ai nuk siguron patjetër kopje të Kapitalit apo një abonim në Morning Star.

Çfarëdo ndikimi që prirjet e trashëguara mund të kenë mbi temperamentin, fëmija nuk del nga barku i nënës duke shtrënguar në dorë një librezë anëtarësie të partisë Reform dhe as, përkitazi me këtë, duke i besuar ndonjë feje.

Ky dallim ka rëndësi të veçantë në rastin e Frischit. Të supozosh se fëmijët e një nazisti janë edhe vetë të njollosur, do të thotë të pranosh konceptin nazist për njerëzimin: se gjaku përcakton karakterin dhe vlerën morale. Është e qartë se fëmijët e tij nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për zgjedhjet dhe veprimet e tij të neveritshme. Tmerri që ata ndiejnë pasi zbuluan të kaluarën e tij, e bën këtë të qartë.

Nëse do të lejonim që bindjet të përbënin pengesë për dhurimin e spermës, atëherë vetëm përfytyroni hartimin e pyetësorit për dhuruesit. “A keni mbështetur ndonjëherë shtetëzimin e shërbimeve publike”? “A besoni se Forumi Ekonomik Botëror e kontrollon termostatin tuaj”? “Shpjegojeni mendimin tuaj për Brexit-in, duke përdorur fletë shtesë nëse është e nevojshme”.

E, megjithatë, mund të kuptohet shqetësimi i atyre që zbulojnë se babai i tyre ishte nazist. Në Britani, personat e lindur nga dhurimi i spermës mund të marrin informacion identifikues kur bëhen tetëmbëdhjetë vjeç. Të mësosh se babai yt biologjik ka shërbyer në SS mund të jetë vërtet shqetësuese, pa besuar për asnjë çast se ke trashëguar bindjet e tij politike.

Fëmijët gjithashtu mund të ndiejnë se klinika u ka fshehur diçka të rëndësishme. Zgjedhja e spermës është në mënyrë të pashmangshme një formë e pazakontë blerjeje. Klinikat japin informacion për pamjen, historinë mjekësore, interesat dhe personalitetin pikërisht sepse familjeve u interesojnë këto gjëra më shumë sesa nëse mostra noton në vijë të drejtë. Do të ishte absurde të thuhej se e kaluara e përsëritur kriminale apo ideologjike nuk duhet të merret kurrë parasysh.

Mbase përgjigjja është të bëhet dallimi mes bindjes dhe sjelljes, si dhe mes arsyeve për dhurimin. Një burrë që thjesht ka pikëpamje të neveritshme është ndryshe nga një burrë që përpiqet të mashtrojë marrësit, të anashkalojë kufizimet e dhurimit ose të dhurojë spermën si pjesë e një projekti personal ideologjik për riprodhim. Klinikat duhet gjithmonë t’i shqyrtojnë motivet dhe t’u japin marrësve informacion të mjaftueshëm e të vërtetë për të bërë një zgjedhje të duhur.

Kjo nuk do ta bëjë kurrë pa dhimbje secilin zbulim të ardhshëm. Përveç kësaj, asnjë sistem kontrolli nuk mund të garantojë dhuruesin i cili mbetet i respektueshëm gjatë gjithë jetës. I diplomuari i sotëm i patëmetë nesër mund të bëhet udhëheqës kulti, përhapës teorish konspirative ose anëtar i Dhomës së Lordëve nga radhët e Liberal Demokratëve.

A do të doja të mësoja se babai im biologjik ishte nazist? Absolutisht jo. A do të nënkuptonte kjo se sperma e tij nuk duhej të ishte përdorur kurrë dhe, rrjedhimisht, se unë nuk duhej të kisha ekzistuar kurrë? Absolutisht jo.

Ne mund ta përçmojmë ndonjë dhurues, të vëmë në pikëpyetje një klinikë dhe të bashkëndiejmë me fëmijët e tij. Ajo që nuk duhet të bëjmë është të lejojmë që ideologjia e babait të përcaktojë mënyrën se si i vlerësojmë pasardhësit e tij. Nga të gjitha mësimet që mund të nxirren nga rasti i një dhuruesi nazist të spermës, ky duhet të jetë më i lehti. /Telegrafi/