“Shqipëria është bukur, por…” – ajo që i ndodhi këtij motoristi në rrugën për Theth po tërheq vëmendje
Një moment i rrezikshëm gjatë një udhëtimi me motor në Shqipëri është publikuar nga faqja Adventurous Vlog, duke rikthyer edhe një herë vëmendjen te kujdesi dhe përgjegjësia në komunikacion.
Motoristi nga Rumania ka ndarë në rrjetet sociale videon ku shihet duke lëvizur në një segment të ngushtë dhe me kthesa të njëpasnjëshme, kur në një prej kthesave përballet me një furgon Mercedes-Benz dhe një veturë tjetër, të cilat kishin hyrë pjesërisht në korsinë e tij.
Për të shmangur një përplasje të mundshme ballore, ai detyrohet të ngadalësojë menjëherë dhe të manovrojë me kujdes.
“Po ecja sipas rregullave dhe isha plotësisht i përqendruar, por përsëri dikush arriti të më dalë përpara”, shkroi motoristi krahas videos, duke shprehur shqetësimin për mënyrën e vozitjes në këtë segment rrugor.
Pavarësisht këtyre problemeve, përvoja e tij në veri të Shqipërisë nuk ishte vetëm negative. Ai u shpreh i impresionuar nga peizazhet malore dhe bukuritë natyrore të zonës së Thethit, duke e cilësuar atë ndër vendet më mbresëlënëse që kishte vizituar gjatë udhëtimit.
Një moment që ka tërhequr vëmendje në video është edhe një njoftim në pajisjen Garmin të motoristit, ku shihet një mesazh nga babai i tij në gjuhën rumune: “Tata, cum e?”, që në shqip do të thotë: “Baba, si je?”.
Në fund të përshkrimit të tij, motoristi iu drejtua edhe udhëtarëve të tjerë me një mesazh të qartë për kujdes në rrugët malore. /Telegrafi/


