Mitrovica siguron për herë të parë hapësirë për praktikë klinike në QKMF
Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se për herë të parë është siguruar hapësira e nevojshme në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, e cila do të shërbejë për zhvillimin e praktikës klinike.
Sipas njoftimit, kjo hapësirë do të ofrojë kushte më të mira për nxënësit, duke mundësuar zhvillimin e praktikës profesionale nën udhëheqjen e instruktorëve, si dhe duke plotësuar nevojat teknike të këtij procesi.
Në ceremoninë e përurimit kanë marrë pjesë kryetari i komunës, Faton Peci, nënkryetari Enis Osmani dhe drejtoresha e Shëndetësisë, Albina Kastrati Rama, si dhe drejtori i QKMF-së, drejtues të shkollës së mjekësisë dhe nxënës të kësaj shkolle.
Me këtë rast, kryetari Peci ka theksuar se kjo hapësirë pritet të ndikojë drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë së mësimnxënies dhe në zhvillimin e aftësive profesionale të nxënësve të shkollës së mjekësisë.
Nga Komuna e Mitrovicës është bërë e ditur se angazhimi institucional do të vazhdojë për krijimin e kushteve sa më të mira për të gjitha kategoritë e shoqërisë. /Telegrafi/


