Miratohet llogaria përfundimtare e vitit 2025 në Komunën e Tetovës
Me 27 vota për, dy kundër dhe asnjë të përmbajtur, këshilli i komunës së Tetovës, miratoi llogarinë përfundimtare të komunës për vitin 2025. Për kreun e komunës Bilall Kasami, buxheti për vitin e shkuar, ka shënuar rritje të theksuar prej dhjetë milion eurove, me çka Komuna e Tetovës, kalon nga buxhete pagesore të pagave në buxhete zhvillimore.
“Tek pjesa e të hyrave burimore, apo tatim në pronë, kemi një realizim gati njëqind e njëset për qind, që i bie që komuna ka qenë e angazhuar në aspektin financiar në drejtim të inkasimit të të hyrave vetanake dhe sigurisht që këto mjete kanë ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve", deklaroi Bilall Kasami. Kryetar i komunës së Tetovës.
Por edhe pse sipas kreut të komunës realizimi i buxhetit të vitit të shkuar ka qenë mbi 80 për qind, për këshilltarët e opozitës, mbeten shumë gjëra të paqarta.
“Kemi një deficit buxhetor prej minus 19.265 724 denarëve, që tregon se komuna nuk ka arritur të mbaj balanc të qëndrueshëm financiar. Rezervat buxhetore pothuajse nuk janë përdorur. Dhe si përfundim mund të themi se buxheti i vitit 2025 nuk është realizuar sipas planifikimit, ka mbivlerësim të të hyrave sidomos në transfere dhe donacione", thanë nga Koalicioni AKI. /Alsat/


