Ministri Krasniqi dhe kryetari i FBK-së diskutuan për krijimin e një qendre të basketbollit
Ministri Krasniqi përgëzoi federatën për angazhimet e mëdha që ka pasur në shumë drejtime si në zhvillimin e garave brenda Kosovës ashtu edhe në ndërkombëtarizim. Ai tha se MKRS-ja dhe do të vazhdojë të angazhohet edhe me shumë në proces të lobimit, gjithnjë në koordinim me FBK-në.
Në takim me theks të veçantë u diskutua për planet për vitin e ardhshëm që ka FBK-ja. Në këtë aspekt u diskutua për hapjen e një qendre të basketbollit për grupmoshat e reja. Kryetari Belegu ka treguar në detaje planin e tyre për këtë qendër duke e vlerësuar si një hap tejet të rëndësishëm për promovimin e talenteve, paraqitje më të mirë në arenën ndërkombëtare dhe masivizim të sportit.
Ministri Krasniqi e vlerësoi lartë këtë projekt. Ai tha se MKRS-ja tash e katër vjet ka në prioritet zhvillimin e sportit tek grupmoshat e reja dhe për këtë, tha ai, i ka dhënë rëndësi sportit shkollor. Ministri Krasniqi tha se MKRS-ja do të japë mbështetje për krijimin dhe funksionimin e kësaj qendre.
Në takim gjithashtu u fol edhe për projektin tashmë të finalizuar, që është hartimi dhe botimi i Kodit të Mirësjelljes në basketboll, të cilin e ka mbështetur MKRS-ja. Ky kod do të prezantohet në ditët në vazhdim dhe është dokumenti i rëndësishëm për të gjithë akterët e përfshirë në basketboll, si zyrtarët, lojtarët, gjyqtarët dhe tifozët. /Telegrafi/


