Microsoft konfirmoi se po zhvillon një gjeneratë të re të konsolës Xbox
Presidentja e Xbox-it, Sarah Bond, ka konfirmuar se konzola e gjeneratës së ardhshme të Microsoftit është në zhvillim.
Para këtij konfirmimi nuk mungonin thashethemet dhe hamendjet për planet e ardhshme të kompanisë për konzolat, veçanërisht gjatë polemikave të fundit rreth çmimeve dhe prezantimit të konzolës së tyre portative, e cila është prodhuar nga ASUS. Shumë detaje për Xbox-in e gjeneratës së ardhshme mbeten ende mister, por tani fansat dinë se diçka po zhvillohet në Microsoft.
Informacione të reja të rrjedhura sugjerojnë se Xbox-i i gjeneratës së ardhshme do të jetë i shtrenjtë, por më i fuqishëm se PlayStation 6.
Hardueri për video-lojëra në përgjithësi ka pasur vështirësi në shitje në të kaluarën, përveç disa përjashtimeve të rëndësishme si Nintendo Switch 2. Tarifat doganore dhe faktorë të tjerë makroekonomikë gjithashtu kanë ngritur dyshime për çmueshmërinë, gjë që ka bërë që disa të besojnë se sistemet e ardhshme do të përjetojnë ndryshime të mëdha. Disa madje kanë pretenduar se Xbox-i i gjeneratës së ardhshme nuk është më i sigurt, megjithatë Microsoft e ka mohuar këtë. Tani lojtarët kanë sqarime shtesë nga kompania teknologjike.
Në një intervistë për Variety, Bond tha se “hardueri i gjeneratës së ardhshme është në zhvillim”, ndërsa foli për disa nga planet e Xbox-it përtej konzolave portative të sapo publikuara. Edhe pse nuk hyri në detaje, përmendi se kompania së paku ka filluar me dizajnimin dhe krijimin e prototipeve. Bond gjithashtu tha se Xbox po bashkëpunon me AMD-në në këtë projekt dhe se së shpejti do ta bëjnë publike këtë partneritet. Lajmet e mëdha lidhur me AMD-në do të përputhen me rrjedhjet e mëparshme të informacionit që thonë se AMD po krijon APU-në më të madh ndonjëherë për Xbox-in e gjeneratës së ardhshme, gjë që do ta ndihmojë konzolën të tejkalojë PlayStation 6, i cili gjithashtu do të përdorë komponentë të AMD-së.
Gjatë intervistës, Bond gjithashtu aludoi për harduerin e ardhshëm përveç pasardhësve të Xbox Series X dhe S. CEO-ja tha se kompania ka njohur mundësinë “të ofrojë lojtarëve një zgjedhje tjetër, përveç harduerit të gjeneratës së ardhshme”. Kjo mund të lidhet me një pajisje portative të prodhuar brenda kompanisë, edhe pse ekzistojnë thashetheme që Xbox ka hequr dorë nga pajisja e tyre portative origjinale pasi AMD kërkoi një objektiv shumë të madh prodhimi për procesorët e destinuar për këtë konzolë portative. Natyrisht, këto janë vetëm thashetheme, por ekzistojnë shumë mënyra me të cilat kompania mund t’u ofrojë lojtarëve më shumë zgjedhje përveç një konzole portative tjetër. Fansat do të duhet të presin më shumë informacione zyrtare për të ditur me siguri se çfarë po propozon Bond.
Pavarësisht se si duket e ardhmja e konzolave Xbox, kompania ka një rrugë të pasigurt përpara. Nga njëra anë, Xbox Game Pass ka shënuar rekord të ri të të ardhurave në vitin fiskal 2024, por të ardhurat nga hardueri ranë me 22 përqind në të njëjtën periudhë. Microsoft gjithashtu po përballet me kritika publike për rritjen e çmimeve të harduerit dhe shërbimeve me abonim, kështu që do të jetë interesante të shihet nëse dhe si këto trende do të ndikojnë në prezantimin e Xbox-it të gjeneratës së ardhshme dhe gjithçkaje tjetër që mund të vijë me të. /Telegrafi/


