"Microsoft Flight Simulator 2024" do të jetë i disponueshëm për PS5
Microsoft po sjell një tjetër nga video-lojërat e veta dikur ekskluzive edhe në konsolën PlayStation 5.
Gjatë ngjarjes më të fundit të Sonyt, State of Play, kompania njoftoi se "Microsoft Flight Simulator 2024" do të vijë në PS5 në fund të këtij viti, konkretisht më 8 dhjetor.
Bazuar në videon promovuese të shfaqur gjatë ngjarjes së Sonyt, versioni për PS5 i Flight Simulator 2024 do të ruajë të njëjtin nivel detajesh grafike dhe aeroplanë të mëdhenj komercialë si origjinali, me mbështetje për pajisjen PS VR 2, për një përvojë edhe më reale "në kabinën e pilotit".
Përveç simulimit të saktë të avionëve të botës reale, Flight Simulator përdor gjithashtu të dhëna reale gjeografike dhe të motit për hartat e tij, duke e bërë përvojën e fluturimit po aq të qetë ose të vështirë sa do të ishte në jetën reale.
Kështu, Microsoft Flight Simulator 2024 i bashkohet koleksionit gjithnjë në rritje të lojërave dikur ekskluzive për Xbox dhe PC, që tani po vijnë edhe në konsolën e Sonyt.
Microsoft filloi me lojëra si "Sea of Thieves" dhe "Pentiment", por tani në PS5 po vijnë edhe tituj më të mëdhenj, si "Indiana Jones and the Great Circle".
E gjithë kjo është pjesë e strategjisë së re të Microsoft-it për Game Pass dhe streaming të video-lojërave, por përfiton edhe Sony.
Për shembull, Helldivers 2 ishte fillimisht ekskluzive për PS5, por kur u publikua për Xbox, u bë menjëherë një nga lojërat më të shitura në atë platformë. /Telegrafi/


