Met Gala 2027 surprizon me temën e re, rrjeti shpërthen në reagime
Është bërë publike tema e Met Gala 2027, e cila do të lidhet me ekspozitën pranverore të Institutit të Kostumeve në Muzeun Metropolitan të New Yorkut.
Ekspozita, me titull “John Galliano: Horizons”, do t’i kushtohet stilistit të njohur John Galliano, një vendim që ka ngjallur reagime për shkak të së kaluarës së tij kontroverse.
Galliano konsiderohet një nga stilistët më të talentuar të brezit të tij, por karriera e tij u ndërpre në vitin 2011 pasi u shpall fajtor për dy raste të gjuhës së urrejtjes, pas deklaratave antisemitike dhe raciste.
Më vonë ai kërkoi falje publikisht dhe pranoi se veprimet e tij ishin të papranueshme.
Organizatorët kanë bërë të ditur se ekspozita nuk do të fokusohet vetëm te kontributi i tij në modë, por edhe te polemikat që kanë shoqëruar karrierën e tij dhe ndikimi që ato kanë pasur në perceptimin e publikut.
Edhe drejtoresha editoriale globale e Vogue, Anna Wintour, ka mbështetur projektin, duke theksuar se ekspozita do të pasqyrojë të gjithë rrugëtimin e Gallianos – si arritjet artistike, ashtu edhe gabimet e së kaluarës.
Pavarësisht debatit që ka shkaktuar ky vendim, organizatorët theksojnë se qëllimi i ekspozitës është të paraqesë një portret të plotë të John Gallianos, duke vënë në pah jo vetëm ndikimin e tij në historinë e modës, por edhe përgjegjësinë që mbartin figurat publike për veprimet e tyre.
Pikërisht kjo qasje e ka bërë temën e Met Gala 2027 një nga më të diskutuarat që para se eventi të zhvillohet. /Telegrafi/


