Menstruacionet mungojnë për muaj të tërë? Stresi, ushtrimet intensive dhe ushqyerja mund të jenë shkaku
Trupi mund të reagojë ndaj ngarkesës duke “frenuar” një nga proceset më të rëndësishme hormonale
Amenorrea hipotalamike është mungesa e ciklit menstrual si pasojë e një çrregullimi të përkohshëm të funksionit të hipotalamusit, qendrës kryesore kontrolluese në tru. Kur ndërpriten sinjalet hormonale, truri nuk dërgon më hormonet e nevojshme për funksionimin normal të sistemit riprodhues.
Çfarë është amenorrea hipotalamike?
Amenorrea hipotalamike funksionale, ose FHA, ndodh kur hipotalamusi redukton prodhimin e hormonit çlirues të gonadotropinës (GnRH). Ky hormon bashkëvepron me FSH, LH dhe estrogjenin për të rregulluar ovulacionin dhe menstruacionet.
Kur prodhimi i GnRH-së zvogëlohet, nivelet hormonale çrregullohen dhe menstruacionet mund të bëhen të parregullta ose të mungojnë plotësisht.
Amenorrea sekondare nënkupton mungesën e menstruacioneve për më shumë se tre muaj te një grua që më parë ka pasur cikle të rregullta. Amenorrea hipotalamike është një formë e saj.
Çfarë e shkakton?
Shkaqet më të shpeshta janë:
- marrja e pamjaftueshme e ushqimit ose kufizimi i kalorive
- ushqyerja jo e balancuar
- aktiviteti fizik i tepërt
- stresi emocional ose psikologjik
- përqindja shumë e ulët e yndyrës trupore
- çrregullimet e të ngrënit, si anoreksia nervore.
Shpesh bëhet fjalë për një kombinim faktorësh, për shembull ushtrime intensive dhe marrje të pamjaftueshme kalorish. Organizmi kalon në një lloj “modaliteti kursimi”, duke reduktuar funksione që nuk i konsideron jetike për mbijetesën.
Pa nivele të mjaftueshme të FSH-së dhe LH-së, ovulacioni dhe menstruacionet mund të ndalen, transmeton Telegrafi.
Simptomat kryesore
Shenja më tipike është mungesa e menstruacioneve për tre muaj ose më shumë. Mund të shfaqen edhe:
- lodhje dhe mungesë energjie
- probleme me gjumin
- ankth ose humor depresiv
- uri e shtuar
- tharje vaginale
- ulje e dëshirës seksuale
- rënie e flokëve
- dhimbje koke.
Si diagnostikohet?
Diagnoza vendoset pasi përjashtohen shkaqe të tjera të mungesës së menstruacioneve, si shtatzënia, çrregullimet e tiroides ose të gjëndrave mbiveshkore.
Mjeku mund të kërkojë analiza të hormoneve, përfshirë estrogjenin, prolaktinën, FSH-në dhe LH-në, hemogramë, test shtatzënie dhe, në raste të caktuara, rezonancë magnetike të hipofizës.
Si trajtohet?
Trajtimi kryesor është ndryshimi i stilit të jetesës: zvogëlimi i ushtrimeve shumë intensive, rritja e marrjes së kalorive kur është e nevojshme, shtimi në peshë dhe menaxhimi i stresit.
Mund të rekomandohet këshillim me nutricionist, ndërsa te personat me çrregullime të të ngrënit ose stres të theksuar mund të ndihmojë edhe terapia kognitive-biheviorale.
Në disa raste, mjeku mund të rekomandojë trajtim hormonal ose terapi për fertilitetin. Rikthimi i menstruacioneve shpesh kërkon tre deri në gjashtë muaj, por koha ndryshon nga një person te tjetri.
Pse nuk duhet neglizhuar?
Mungesa e menstruacioneve mund të ndikojë edhe në shëndetin afatgjatë. Nivelet e ulëta të estrogjenit mund të rrisin rrezikun për humbje të masës kockore, osteoporozë dhe probleme kardiovaskulare.
Mund të ndikojë gjithashtu në fertilitet. Megjithatë, ovulacioni mund të rikthehet para menstruacionit të parë, ndaj shtatzënia është e mundur edhe para se cikli të normalizohet plotësisht.
Parandalimi lidhet kryesisht me ushqyerje të mjaftueshme, shmangien e kufizimit të tepërt të kalorive, menaxhimin e stresit dhe mos-teprimin me aktivitetin fizik. /Telegrafi/


