Memli Krasniqi për Fatmir Limajn: Nuk do të jetë kandidat, Kurti nuk e propozon kurrë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka hedhur poshtë mundësinë që Fatmir Limaj të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se nuk e sheh të mundshme që ai të propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje.
“A e keni pa najkund që është kandidat? Nuk besoj kurrë që do të jetë kandidat,” tha Krasniqi para mediave.
Ai theksoi se këtë mendim ia ka shprehur edhe vetë Limajt personalisht.
“Ia kam thënë edhe personalisht. Nuk e emëron Albin Kurti, nuk e propozon askund. Kështu që për këtë temë nuk besoj që kemi me pas arsye me diskutu", tha Krasniqi.
Krasniqi komentoi edhe deklaratat e një deputeti të PDK-së, i cili ka thënë se do të ishte mirë që Fatmir Limaj të votohej për këtë post. Megjithatë, ai e bëri të qartë se PDK nuk vepron në mënyrë të shthurur, por në përputhje me vendimet kolektive të partisë.
“Një deputet i PDK-së ka thënë se mendon që do të ishte e mirë me u votu, por PDK nuk voton në mënyrë të shthurur e as në mënyrë të paorganizuar, por sipas qëndrimeve partiake,” tha kryetari i PDK-së. /Telegrafi/


